Gjermania po e përbin Ballkanin, VV-ja i qan hallin ‘krizës’ gjermane - NACIONALE

Gjermania po e përbin Ballkanin, VV-ja i qan hallin ‘krizës’ gjermane

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Gjermania nuk është si ajo e njëherë e një kohe.

Ekonomia më e fuqishme gjermane e ka në fyt lakun e recesionit, dhe kjo tund këmbanat e alarmit që Kosova të bëhet gati për t’iu bërë strehë mijëra mërgimtarëve zemërthyer nga aborti i ëndrrës gjermane.

Kjo është tabloja butaforike për Gjermaninë në prag krize dhe Kosovën me zhvillim marramendës ekonomik sipas krerëve më të lartë të shtetit.

Gërvalla: “Njerëzit po kthehen”

Së mbrami, ministrja e Jashtme dhe kandidatja për deputete nga radhët e Listës Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz doli me pretendimin se vetëm nga një udhëtim në aeroplan takon “njerëz që po kthehen”.

Pa e humbur grimasën e seriozitetit, në paraqitjen e saj në një emission të TëVë1, ajo tha se “jo gjithçka në Gjermani e Zvicër është e lehtë, siç u duket”.

“Unë çdo herë takoj njerëz në aeroplan njerëz të cilët kanë ikur para një kohe jo shumë të gjatë dhe po kthehen përsëri, sepse kanë konstatuar se jo gjithçka në Gjermani e Zvicer është e lehtë siç u duket”, ishte xhevapi i Gërvallës për publikun.

Kurti e shpall në Llap krizën e Gjermanisë

Çuditërisht, edhe kryeministri në ikje, Albin Kurti, Gjermaninë po e sheh në buzë të recesionit.

Në një paraqitje elektorale para mbështetësve të tij në Llap, ai paralajmëroi për kthim të kosovarëve që kanë ikur në Gjermani.

“Kanë me nisë me ardhë e me u kthy gjithnjë e ma shumë prej diasporës, se kur shkuan atje në vitet ’90 ishte kohë e terrorit të Serbisë dhe aparheidit, iu jepej menjëherë azili, iu gjendej banesa, sepse Gjermania lulëzonte pas bashkimit dhe shndrrimit të saj në motor të industrisë evropiane”, ka thënë Kurti.

Para audiencës llapjane, kryeministri deklaroi se “Kosova po lulëzon dhe Gjermania është buzë recesionit”.

“Kanë me u kthy bashkëatdhetarët tanë, por ne duhet të jemi të përgatitur”, përfundoi ai mes brohoritjesh.

FT: Emigrimi po e lë pas Ballkanin

Cila është e vërteta e këtyre pohimeve pa mbulesë?

Si për koincidencë, gjatë ditës së sotme The Financial Times botoi një artikull gazetaresk me titullin domethënës ‘Vendi të cilin emigrimi e la pas’.

Artikulli strumbullohet rreth rrëfimit për sfidat demografike të një vendi anëtar të BE-së, si Bullgaria, të cilin emigrimi i gjithështrirë po e shpraz.

Duke e shembullzuar artikullin me rastin e një fshati të zbrazur si Jahinovo, në jug të Sofjes,e përditshmja britanike trajton trendet dëshpërimisht negative të demografisë bullgare.

Si pasojë e minusave demografikë, popullata bullgare nga afër 9 milionë sa ishte në vitet ’80, sot është rudhur në 6.8 milionë.

Peizazhi i çpopullimit bullgar, sidomos viseve fshatare, është ai që dalëngadalë po bëhet realitet edhe për Kosovën, Shqipërinë dhe vendet rrotull.

Rregullorja që e ‘shteroi’ Ballkanin

Ç’prej zgjerimit të të ashtuquajturës Rregullore për Ballkanin Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor të vitit të kaluar, numri emigrantëve të ardhur është dyfishuar.

Nga qershori deri në nëntor të vitit të kaluar, autoritetet gjermane kanë lëshuar 25 mijë leje pune për qytetarë kryesisht nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi.

Numri i punëtorëve të ardhur është më i larti nga Kosova (5564) dhe Serbia (4239).

Kosova, kampione me eksporte njerëzore

Derisa shifrat përditoësohen nga viti në vit, dhe shpesh edhe për periudha më të shkurtra kohore, trendi kryesor është që Gjermania mbetet vendsynim për punëtorë nga Ballkani e më gjerë.

Sipas një të dhëne, rreth 419 mijë punëtorë nga vende që nuk janë pjesë e BE-së mbanin leje pune në Gjermani në fund të 2023-s.

Rritja e lejeve të punës dhe kërkesave për vendosje në Gjermani ishte shtuar më 2022 dhe 2023, duke pasuar heqjen e ndalesave që vinin si pasojë e pandemisë.

Nga këto të dhëna del që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ia huqin me mësymjen e shtetasve të tyre drejt Gjermanisë.

Rreth 76 mijë shtetas nga rajoni, së paku deri në fund të 2023-s, punonin ligjërisht në Gjermani e në përputhje me ‘Rregulloren e Ballkanit Perëndimor’.

Nga kjo përpjesë, shtetasit e Kosovës përbënin pjesën më të madhe të punëtorëve, me plot 20 mijë punëtorë në fund të vitit 2023.

2.6 milionë me prejardhje nga Ballkani

Tabloja e përgjithshme e popullsisë në Gjermani është e tillë ku, nga 19.3 milionë njerëz me prejardhje migrantësh, 2.6 milionë vlerësohen të jenë nga vende të Ballkanit si Bullgaria, Rumania, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Kosova.

A ka rënie të migrimit drejt Gjermanisë për shkak të krizës ekonomike atje? Rënie ka, por kriza ekonomike nuk është shkaku i kësaj.

Në të vërtetë, ulje ka vetëm sa i përket kalimeve të paligjshme të kufirit në vendet e BE-së.

Sipas të dhënave të agjencisë për kontrolle kufitare Frontex, numri ka rënë ndjeshëm gjatë vitit 2024, diçka që i atribuohet bashkëpunimit të shtuar kundër rrjeteve të trafikantëve.

Gjithnjë sipas të dhënave ende jopërfundimtare, gjatë vitit të kaluar pati rënie prej 38 për qind.

Politika gjermane shtrëngon darën e kontrollit

Në anën tjetër, në Gjermani ka zhvillime të brendshme politike ku partia e krahut të djathtë, Alternative für Deutschland, po shtyn gjithnjë e më fort masat shtrënguese ndaj migrimit të parregullt.

Kështu, hëpërhë ka një bashkërendim mes opozitës konservatore, të përfaqësuar nga Friedrich Merz, dhe AfD-së.

Konservativët kanë paraqitur në Parlamentin gjerman dy mocione, që si synim kanë shtimin e masave të sigurisë dhe mbyulljen e të gjithë kufijve të landeve përballë migrimit të parregullt.

Të mërkurën, parlamenti gjerman kaloi njërën nga këto mocione, të cilin Merzi e ka përshkruar si ‘plan pesëpikësh’ për t'i dhënë fund migrimit të parregullt.

Ky mocion që mori 348 vota deputetësh,propozon që azilkërkuesit dhe migrantët e tjerë të kthehen mu në kufi.

Col Mehmeti

Lajme të ngjashme