Dialogu prioritet - Gjermania mirëpret uljen e tensioneve në veri
Zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Hoffmann nuk pranoi të japë komente rreth kërkesës së Kosovës për shtimin e trupave të NATO-s në rajon, mirëpo tha se heqja e barrikadave është shenjë e mirë e përafrimit të palëve.
“Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, tha zëvendës zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann në Berlin.
Hoffman shtoi se tani palët duhet ta kenë prioritet dialogun dhe qeveria gjermane e mbështet një gjë të tillë.
“Prioriteti tani është që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë të mbështetet. Qeveria gjermane po e bën këtë në mënyrë shumë aktive”, tha Hoffmann.
Megjithatë, as qeveria dhe as Ministria e Jashtme nuk e kanë komentuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të shtuar praninë e NATO-s në Kosovë.
"Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, kishte thënë Kurti për gazetën gjermane “Die welt”.
