Gjenden eshtrat e një personi në Prishtinë, figuron si i zhdukur gjatë luftës në Kosovë - NACIONALE

Gjenden eshtrat e një personi në Prishtinë, figuron si i zhdukur gjatë luftës në Kosovë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se kanë gjetur mbetje eshtërorë të një trupi të njeriut, i cili figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/1999.

PK përmes një njoftimit ka bërë të ditur se pas identifikimit të lokacionit të dyshuar, në vendin e ngjarjes përveç njësive përkatëse policore, kanë dalur edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku pas gërmimit/ekshumimit, janë hasur gjetje eshtërorë me interes forenzik që besohet se janë të trupit të njeriut dhe dyshohet se i përkasin periudhës së luftës së fundit.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në bazë të analizës së informatave të pranuara, ka arritur që të siguroj informacione për mbetje eshtrore të një trupi të njeriut, i cili figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/1999.

Pas identifikimit të lokacionit të dyshuar, në vendin e ngjarjes përveç njësive përkatëse policore, kanë dalur edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku pas gërmimit/ekshumimit, janë hasur gjetje eshtrore me interes forenzik që besohet se janë të trupit të njeriut dhe dyshohet se i përkasin periudhës së luftës së fundit. Lidhur me rastin, tërheqjen e gjetjeve eshtrore e ka kryer Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe të njëjtat janë dërguar në IML për obduksion dhe identifikim.” – thuhet në njoftim.

Tutje në komunikat thuhet se pas veprimeve të ndërmarra rreth këtij rasti, për këtë lokacion është lëshuar urdhëresë nga Gjykata Themelore Departamenti Special- Prishtinë dhe ky vend mban Kodin TWE.

Rreth këtij rasti ka shkruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ku ka njoftuar se lokacioni ku janë gjetur eshtrat është në Matiqan të Prishtinës.

“Sot, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me KQPZH dhe Policinë, kanë lokalizuar mbetjet mortore të një individi në lagjen Matiçan në Prishtinë, të cilat dyshohet se i takojnë kohës së luftës. Mbetjet skeletore do të dergohen në IML ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë me qëllim të identifikimit. Në vendin e njëjtë gjatë muajit maj në të njëjtin vend ishin gjetur mbetjet mortore edhe të një individi.” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Lajme të ngjashme