“Gëzuar e me fat”, urimet e politikanëve të Kosovës për Bajram
Sot, shqiptarët e besimit islam kremtojnë festën e Bajramit, që vjen pas një muaji agjërimi të Ramazanit. Në një ditë të tillë, urimet e besimtarëve myslimanë për njëri-tjetrin nuk mungojnë. Por, liderët institucional e politik nuk harrojnë të urojnë në një ditë të shënuar në kalendarin e myslimanëve.
I pari që uroi për Bajram nga liderët politik ishte kryeministri Albin Kurti. Pak minuta pas mbarimit të faljes së Bajramit, saktësisht në orën 6 e 30 të mëngjesit, Kurti postoi një relativisht të shkurtër.
Aty i pari i ekzekutivit shkroi se pas një muaji agjërim, që karakterizohet me vetëpërmbajtje e sakrificë, besimtarët myslimanë sot ndajnë gëzimin e Fitër Bajramit.
“Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin”, shkroi Kurti në faqen e tij në Facebook.
Dy orë e gjysmë pas Kurtit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani uroi qytetarët për festën e Bajramit të Fitrit. Në urimin e saj, e para e vendit theksoi se kjo festë është një mundësi e mirë për forcimin e mirëkuptimit dhe afërsisë ndërnjerëzore.
“Uroj që ky Fitër Bajram të kalojë në frymën e solidaritetit dhe zemërgjerësisë, të cilën populli ynë e kultivon ndër shekuj. Kjo ditë është shpërblim i një sakrifice një mujore ku besimtarët myslimanë mishërohen me ata që në ditë të zakonshme ndjejnë urinë dhe etjen e Ramazanit. Prandaj, frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë, e posaçërisht në festat si kjo, kur duhet t'ua zgjasim dorën njerëzve në nevojë”, shtoi Osmani, transmeton Gazeta Nacionale.
Ndonëse uroi dikur kah mesi i ditës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pati një urim paksa më të veçantë se dy liderët e tjerë të Kosovës. Në postimin e tij në Facebook, Konjufca përmendi zgjimin e hershëm të besimtarit mysliman, rrobat e reja e lutjet e ‘tekbirit’. Duket qartë që shkrimi i Konjufcës ka kaluar në duart e hoxhës, Drilon Gashi, i cili që një kohë është pjesë e kabinetit të kryekuvendarit.
“Besimtari mysliman zgjohet herët në mengjes, vesh rroba të reja, lexon lutjen e tekbirit dhe më pas viziton familjarët dhe të afërmit e tij. Bajrami është koha për të krijuar kujtime të bukura, prandaj shijojeni në maksimum! E lus Zotin që jetën tuaj ta bekojë me lumturi, zemrën tuaj me ngrohtësi, shpirtin tuaj me paqe dhe mendjen tuaj me urtësi! U pranofshin lutjet tuaja dhe u bekofshit me shpërblimet e Ramazanit”, nënvizoi Konjufca.
Ndërsa nga liderët opozitarë, më i hershmi në urim ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Me fat Bajrami”, shkroi Haradinaj në përshkrimin e fotos, ku shihet duke u shpërndarë ëmbëlsira policivë të Kosovës, tashmë një traditë disa vjeçare e kryetarit të AAK-së.
Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi, uroi për Bajram pas vizitës që i bëri Myftiu Naim Tërnava, i cili gjatë tërë ditës prit e përcolli shumë mysafirë.
Krasniqi bëri një lutje në postimin e tij, duke uruar që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve myslimanë t’i pranojë Zoti.
“Andaj, sot, siç e do zakoni i kësaj feste, krahë hapur e zemër plotë, ta bëjmë këtë Bajram shembull të mirëkuptimit e tolerancës me familjarët, fqinjtë, miqtë, kolegët dhe të gjithë bashkëqytetarët tanë”, shkroi ai në postimin e shpërndarë në Facebook, e ku shihet vizita e tij në BIK.
As kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk harroi t’i uronte myslimanët në këtë ditë feste për ta. Madje, në postimin e tij, ai theksoi se festën e Bajramit u uron të gjithëve edhe në emrin e partisë që udhëheq.
Tutje, lideri opozitar shkroi se shpreh nderimin për të gjithë ata që kanë kaluar këtë muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit.
“Kjo festë le të na rikujtojë se sakrifica dhe vlerat njerëzore që na bashkojnë dhe na sigurojnë mirëkuptim e kujdes ndaj njëri tjetrit janë vlera të domosdoshme për një shoqëri me zhvillim të begatshëm e me bekim prej Zoti”, shkroi ai.
Edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili njihet si ndër politikanët e rrallë që agjëron, shkroi për festën e Bajramit. Madje, deputeti i Kuvendit theksoi se atij do t’i mungojë agjërimi i muajit të Ramazanit.
“Muaji i shenjtë i Ramazanit do të na mungojë, por është e rëndësishme të vazhdojmë të bëjmë vepra të mira, të ndajmë bukën me të tjerët dhe të kujtojmë gjithmonë Zotin”, shkroi Pacolli.
Ndryshe, gjatë tërë ditës liderë të ndryshëm politikë e partiak, por edhe qytetarë të shumtë, kanë vizituar selinë e BIK-ut dhe kanë takuar Myftiun Tërnava për të uruar për festën e Bajramit, që shënon fundin e muajit të Ramzanit.