Gëzim për Erdoganin, opozita turke përçahet për kandidatin për president
Partia djathtiste turke, IYI, shkaktoi çrregullim në aleancën opozitare kundër presidentit Rexhep Erdogan të premten, pasi u tërhoq nga blloku për shkak të mosmarrëveshjes për atë se kush duhet të jetë kandidat i opozitës për president në zgjedhjet që pritet të mbahen pas dy muajve.
Ndarja publike, e cila erdhi pas mosmarrëveshjes që zgjati me muaj, u bë pasi Erdogani tha këtë javë se zgjedhjet do të mbahen më 14 maj pavarësisht nga kritikat për reagimin e qeverisë së tij ndaj pasojave të tërmeteve shkatërruese të muajit të kaluar në juglindje të vendit, raporton agjencia “Reuters”.
Duke folur në selinë qendrore të partisë në Ankara, kryetarja e partisë IYI, Meral Aksener, tha se pesë partitë e tjera në aleancë e kanë kundërshtuar kandidimin e Kemal Kilicdaroglu-t, kryetar i Partisë Popullore Republikane, për president në emër të koalicionit opozitar.
Megjithatë, Akseneri tha se partia e saj, e dyta më e madhja në aleancë, nuk do t’i përkulet presionit për ta pranuar Kilicdaroglu-n si kandidat. Në vend të tij, ajo propozoi që për president të kandidohen kryetari i Stambollit ose ai i Ankarasë, të dy anëtarë të Partisë Popullore Republikane, duke thënë se anketat kanë treguar se ata do të fitonin me epërsi të lartë kundër Erdoganit.
“Nga dje, Tavolina e Gjashtëshit e ka humbur aftësinë për ta pasqyruar vullnetin e popullit në vendimet e saj”- tha ajo, duke dhënë shenjë për tërheqjen e partisë së vet nga aleanca.
“Kjo nuk është më një platformë përmes së cilës kandidatët potencialë mund të diskutohen, por një tavolinë që punon për t’i dhënë vulën një kandidati të vetëm”- shtoi ajo.
