Gërxhaliu: Bllokada e mallrave dëmton qytetarët si në Kosovë ashtu edhe në Serbi
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka folur lidhur me bllokimin e kamionëve me mallra në vendkalimet Jarinje, Merdarë e Bërnjak.
Ai ka thënë se situata aktuale nuk është në favor të asnjërës palë, dhe që në fund humbësit më të mëdhenj do të jenë qytetarët.
Gërxhaliu thekson se problemi më i madh në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është se gjithçka është e politizuar dhe se në atë nivel të politizimit, më së shumti vuajnë ekonomia, bashkëpunimi ekonomik dhe qytetarët- raporton Kosovo Online.
‘’ Bllokada si kjo nuk i bën dobi askujt, por problemi më i madh është se faturën do ta paguajnë edhe qytetarët në Kosovë dhe Serbi’’- tha Gërxhaliu.
Ai shtoi se është i habitur se disa ekspertë ekonomik mendojnë se këto bllokada nuk do të kenë ndonjë efekt ekonomik, dhe se sipasj tij, çdo bllokadë ndikon politikisht, ekonomikisht dhe psikologjikisht.
‘’ Jam i habitur nga disa ekspertë që merren me ekonominë dhe që thonë se bllokada të tilla nuk kanë asnjë efekt në ekonomi. Mendoj se është një gabim i madh dhe nuk i kontribuon as normalizimit, sepse çdo bllokadë ndikon politikisht, ekonomikisht, psikologjikisht dhe përkeqëson statusin e Ballkanit Perëndimor, si dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’’- shtoi Gërxhaliu.
Ai ndër të tjera tha se mendon se në Kosovë është krijuar një imazh se nga Serbia importohen vetëm plazmat dhe çokollatat.
Gërxhaliu theksoi se lidhur me këtë çështje duhet të flitet në gjuhën e biznesmenëve dhe ekonomisë, e jo vetëm në gjuhën e politikës. Ai tha se fakti që mund t’i marësh mallrat nga Serbia e të paguash transport 500 euro, të njëjtat mallra nga Europa kushtojnë 4000 deri në 5000 euro.
‘’ Diku rreth 70% janë lëndët e para dhe gjysëmfabrikat që ndikojnë në finalizimin e produkteve të prodhuara në Kosovë, prandaj dikush tjetër do të thotë se këto mallra mund të zëvendësohen. E vërteta është se ne duhet të flasim gjuhën e biznesmenëve dhe ekonomisë, jo vetëm gjuhën e politikës. Sa i përket transportit, fakti që mund ta merrni në Serbi dhe të paguani 500 euro transport, te njejtat mallra nga Europa kushtojnë 4000 deri ne 5000 euro, a nuk është argument i mjaftueshëm’’- theksoi Gërxhaliu.
Gërxhaliu pret që arsyeja të mbizotërojë, dhe barrierat së shpejti të hiqen, sepse siç tha ai, ekonomia duhet të forcojë urën e bashkëpunimit, e jo të ndërtojë barriera.