“Gërvallet” sërish Rilindi i pushtetit: Ndëshkon redaktorët e RTK-së që nuk u nënshtruan
Redaktorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë denoncuar publikisht vendimin arbitrar dhe krejtësisht joligjor të marrë nga menaxhmenti i kapur nga njerëzit e Vetëvendosjes për t'i përjashtuar nga moderimi i emisioneve, në një rast censure të paprecedentë. Drejtori i Televizionit publik, deri 'dje' me librezë të Vetëvendosjes Rilind Gërvalla së bashku me u.d kryeredaktorin Blerim Haxhiaj, i cili nga pushteti i Kurtit përfitoi mbi 200 mijë euro, së bashku me gruan e tij dhe djalin, kanë vendosur ta 'spastrojnë' RTK-në nga gazetarët më eminent që ka televizioni, por që s'kanë qëlluar partizan të paritsë Vetëvendosje. Gjashtë redaktorë/gazetarë, kanë pranuar një vendim krejt të paligjshëm, në minutat e fundit të orarit të punës, të premtën. Ata s'do të jenë më fytyrat e magazinave përkatëse, jo për mungesë suksesi a zotësie, as për ndonjë avancim, meqenëse janë figurat më markante që ka televizioni, por se s'iu nënshtruan drejtorit Gërvalla (Kurtit).
Vendimi, siç u bë e ditur nga redaktorët e televizionit publik, u është komunikuar të premten në fund të orarit të punës, pa paralajmërim dhe pa bazë ligjore, i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.“Magazina e orës 17:00” dhe lajmet e orës 23:00.
"Reagim publik për përjashtimin arbitrar dhe censurën alarmante në RTK! Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje."
Ata theksojnë se prej kohësh janë përballur me presion të vazhdueshëm dhe akuza të pabazuara, të cilët nuk kanë pranuar t’i "evidentojnë ato në mënyrë elektronike."
Në reagim ngritet shqetësimi serioz se heqja e emisioneve nuk lidhet me arsye profesionale, por me pakënaqësitë e eksponentëve të partisë në pushtet (Vetëvendosje), të cilët kanë shprehur irritim pas ballafaqimeve profesionale në studio.
"Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.
Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën "Lajmet e fundit", është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional.
Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur."
Redaktorët ngritën alarm serioz "për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend."
"Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik. Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend. Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale.
Blerta Foniqi Kabashi
Meneta Zekaj Nushi
Jehona Zhitia
Edona Musa
Arton Mulliqi
Valon Bajrami"