Gërvalla i reagon Çitakut për fushatën e Kurtit nëpër ambasada: Ju keni keqpërdorur diplomacinë
Muajin e fundit kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla kanë nisur takime me të madhe me diasporën. Kjo, vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve ka shkaktuar shumë reagime, mes tjerash, edhe nga Vlora Çitaku e PDK-së e cila ka thënë se po keqpërdoren ambasadat.
Në një shkrim të gjatë në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka pretenduar se Qeveria vetëm po bën bashkëbisedim me diasporën, e nuk po flet për “lidhje biznesore, familjare, parti politike apo interesa personale”.
Madje, pas konferencës së Çitakut, ajo ka thënë se “këta që keqpërdorën diplomacinë dhe shtetin po bëjnë thirrje për sabotim”.
“..., pikërisht këta keqpërdorues masiv të diplomacisë dhe shtetit mbajnë konferenca për shtyp dhe thërrasin diplomatët e Kosovës që të bojkotojnë dhe sabotojnë shtetin.” – ka thënë ajo.
“Por, nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon.
Ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës pak e nga pak, por në mënyrë të pakthyeshme, po ua kthejmë rolin e tyre të vërtetë, atë të shtëpisë së madhe dhe derës së hapur për të gjithë mërgimtarët tanë. Ky është realiteti i ri me të cilin duhet të mësohen sa më parë ata që diplomacinë dhe ambasadat e Kosovës ishin mësuar t’i shohin dhe shfrytëzojnë vetëm në funksion të interesave të tyre personale dhe klanore.” – ka shkruar tutje ajo.
Këtu vlen të theksohet se Gërvalla në krye të diplomacisë së Kosovës, është kritikuar shumë për punën e saj, madje, s’i ka sjellur vendit as edhe një njohje për katër vjet.