Gërvalla “e çuditur” që s’po e njeh pesëshja e BE-së Kosovën: “Është e habitshme që s’po ndodh”
Sektori më i pashëndrritshëm në Qeverinë e Albin Kurtit është diplomacia; dhe bartësja më e pakualifikuar ndonjëherë e këtij funksioni: Donika Gërvalla.
Se do të vazhdojë të jetë kjo pashëndrritësi në arenën ndërkombëtare, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – që s’është hiç befasi – tregoi sërish e për të kush-e-di-të-satën-herë edhe në intervistën e saj të fundit te Jeta Xharra.
Pse s’ka njohje?
Kjo është pyetja që qëndron pezull në ajr – kur Kosovën nuk e njeh thuajse gjysma e botës; dhe për më tepër, me qeverisjen e kësaj kaste të re politike mbi supet e Kosovës rëndojnë pesha të rënda sanksionesh ndërkombëtare ndërsa njohjet janë një horizon tashmë thuajse transcendent.
Njohja e fundit ishte ajo e Izraelit gjaztë qeverisjes thuajse teknike dhe jetëshkurte të Avdullah Hotit; që nga ajo kohë s’e kemi dëgjuar më atë këngë.
Donika Gërvalla kishte premtuar se “shumë shpejtë” do të njoftohemi e ngazëllehemi nga njohjet që do të pasojnë në një intervistë te Fidan Jupolli ku madje e kishte pauzuar frymën në gjysmë për të mos shqiptuar emra të shteteve. Dhe në verbale ia pati kthyer Jupollit: “mmmm....tjetër herë”.
Kjo “tjetër herë” nuk erdhi asnjëherë.
Por, te gazetarja Xharra ajo tha që “në një vend që nuk pritet” do të hapet një zyre; por pa treguar çfarë zyre? Zyrja s’është njohje; dhe për më tepër dipllomacia tre vjeçare paska prodhuar vetëm “një zyre”.
Por, çka përbën një xhevahir në intervistën e Gërvallës – siç rëndom veç ajo di të prodhojë – është një deklarim për pesëshen mosnjohëse të Bashkimit Evropian.
Ndonëse lajtmotiv e kishte “kjo nuk varet nga, kjo nuk varet nga ne”; ajo u shpreh – për çudinë e logjikës së shumëkujt – se “jemi kaq afër (njohjes nga kjo pesëshe) sa që është habi pse nuk po ndodhin”.
Njëfarë ekuivalenti i: qielli është i tërë me re, por shi s’po bjen.
Gazetarja Xharra i qëndronte në linjën kryesore: “asnjë njohje s’ka”.
Rëndom kur ke çka të thuash është kollaj, e këtu Gërvalla s’e kishte kollaj: “Tash varet për çfarë njohje po flasim”, ia kthente ajo në pamundësi të gjenerimit të një fjalie të shëndosh që i korrespodon një përgjigje pyetjes së shtruar.
Çfarë njohje? Njohje bilaterale sigurisht...
“Kemi punuar pa e përjashtuar asnjë ditë të vetme në drejtim të këtyre pesë njohjeve”, i tha Gërvalla gazetarës; gjë që në paramendim të zgjon idenë se të dieleve ofansiva diplomatike kosovare s’resht së trokituri në dyer të Madridit e kryeqyteteve të tjera.
“Kemi progres me disa prej (pesë) shteteve (mosnjohëse)”, i tha Gërvalla ndërs gazetarja thjesht ia ktheu që “edhe vitin e kalum njëjtë keni thënë”.
“Atë që ne duhet bëjmë ne e bëjmë çdo ditë”, ia kthen ajo.
“Ka pasur një iluzion sikur çështja e dialogut me Serbinë është një çështje të cilën bashkësia ndërkombëtare do të mund ta zgjidhë së shpejti dhe prandaj të gjitha inciativat tona në këtë drejtim kanë mbetur disi peng i këtij procesi”, ka thënë ajo.
Gërvalla thotë se është punuar në mbarë botën me shtetet mosnjohëse përveç Kinës dhe Rusisë.
“Pra, keni dështu?”, i tha gazetarja, ndërsa ajo ia kthen: “Dështim e konsideroj momentim kur heq dorë”.
“Me çka m’ju mat juve, zonja Gërvalla?”.
“Unë nuk e mas me njohje (suksesin në diplomaci) por me stabilitetin e vendit tonë”, tha ajo.
“Qysh stabilitetin, patëm sulm ushtarak, Xhelal Sveçla merret me stabilitetin, qysh me marrë punën tënde?”, ishte pyetja e fundit signifikante ndaj Gërvallës.
Pjesa tjetër...përpëlitje e të fundës.