Gërryerje e reputacionit ndërkombëtar, aplikacioni për BE ngelet në sirtar: Dy mesazhet e rënda nga ShBA dhe Gjermania
“Gërryerje e reputacionit të Kosovës si partner i mbështetshëm ndërkombëtar”.
Ishte ky mesazhi nga qeveria amerikane kumtuar mbrëmë në orët vona pas aksionit të radhës të urdhëruar nga qeveria kosovare në mbylljen e disa zyreve të Postës së Serbisë. Një deklarim ky i kësaj natyreje tashmë amerikanisht është etabluar për Kosovën dhe pasqyrën e saj në arenën ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës, pavarësisht reagimeve të ashpra ndërkombëtare, vazhdoi t’i qëndrojë aksionit policor si “shumë normale” (Svecla) dhe se “strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Kosovë” (Bislimi).
DASh që nga fillimi i vetëm me çështjen e dinarit ishte shprehur eksplicit se mënyra e veprimit të qeverisë kosovare në veri e bën “të vështirë avokimin e ShBA-së për Kosovën në arenën ndërkombëtare”; për çka, në të njëjtin refren, ishte edhe reagimi i djeshëm.
Por, edhe vendosja “në rrezik të ushtarëve të KFOR-it” i qe bashkangjitur; përmbajtje kjo që s’gjendej më parë në deklarimet amerikane.
“Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës”, u tha në komunikatë të ShBA-së.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet më tej.
Në rrafsh ndërkombëtar vis-a-vis Kosovës, mesazh po aq me tone serioze pati edhe Gjermania, që e kumtoi përmes diplomatit të tyre në Prishtinë, Jorn Rohde.
Ky i fundit tha se në dritën e aksioneve të tilla, Kosova “rrezikon” që aplikacioni i saj për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE – që vetëm Kosova në rajon nuk e ka – “të mbetet në sirtar”.
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por - edhe më keq - rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet në sirtar. BE lulëzon duke marrë me vete të gjithë anëtarët dhe komunitetet e tyre dhe ne kemi nevojë për të njëjtën qasje në nivel kombëtar”, ka shkruar Rohde.
Për Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklarimet e ShBA-së dhe Gjermanisë nuk përbënë ndofarë risie, ndërsa për aksionet e djeshme u shpreh veç si “shumë normale”.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla.
Ndërkaq Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dënoi “gatishmërinë e BE-së për ta dënuar Kosovën e jo Serbinë”; derisa e dha për punë të kryer se “aktivitetet ilegale nuk kanë vend në Kosovë”.
“Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës”, tha Bislimi.
Kosova së fundi dështoi të bëhej pjesë e agjendës për anëtarësim në organizatën paradhomë të BE-së, Këshillin e Evropës, ndërsa aplikacioni i saj për marrjen e statusit të vendit kandidat s’është hapur asnjëherë.
Kosova mbetet e vetmja në rajon që nuk është vend kandidat për anëtarësim në BE; ndërsa është pajtuar kontraktualisht në Ohër, që krejt rrugëtimin e saj evropian ta lidh pashkëputshëm në dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.