Gazetari i Nacionales, Besian Beha, shpërblehet me çmim vjetor nga KOMF për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Gazetari i Nacionales, Besian Beha, ka fituar çmimin për raportimin më të mirë, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ky çmim i është dhënë nga Koalicioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (KOMF).
Gazetari i Nacionales kishte raportuar për sulmin që i ishte bërë futbollistit 15-vjeçar të komunitetit ashkali, Belgin Jashari.
Raportimi kishte nxitur reagime të mëdha në opinionin publik.
Futbollisti i komunitetit ashkali, Belgin Jashari, ishte sulmuar nga një prind i lojtarit kundërshtar, dhe ai në rrëfimin për Nacionalen, kishte treguar për sulmet dhe ofendimet e vazhdueshme që ka gjatë ndeshjeve.
Pas raportimit, i dyshuari për sulm u arrestua, dhe pati reagime të mëdha.
Me këtë raportim, Beha është vlerësuar edhe në festivalin e filmit sportiv FICTS në Milano, dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Besian Beha ka fituar këtë vit edhe çmimin e dytë për gazetari hulumtuese nga Bashkimi Evropian, lidhur me raportimin për degradimin e hetuesve të aferave korruptive nga Njësia e Veçantë Hetimore.