Gazetari i pavarur rus publikon foto të një rezidence luksoze, thotë se është e Putinit
Gazetari i pavarur rus, Roman Badanin, i cili është larguar nga Rusia, pasi u ballafaqua me kërcënimin për burgosje, ka bërë një hulumtim për jetën sekrete e luksoze të presidentit Vladimir Putin. Ai ka folur edhe për atë që thuhet se është lidhje e fshehtë e Putinit me një grua.
“Duke u mbështetur në shumë fakte që ne i kemi zbuluar, unë mund të them që Putini absolutisht, 100 për qind çmendet për fshehtësinë përreth jetës së tij personale, për të afërmit e tij dhe, në mënyrë specifike, për Kabaevën. Unë do të thosha që ndoshta Kabaeva është tabuja më e madhe në Rusi”- tha Badanini.
Në një intervistë për televizionin amerikan, CNN, gazetari tha se ka biseduar disa persona nga rrethi i brendshëm i Putinit dhe se ata të gjithë janë të sigurt se Putini dhe Kabaeva janë familje, por shtoi: “Në të njëjtën kohë, asnjëri prej tyre asnjëherë nuk i ka parë bashkë Putinin e Kabaevën. Kjo është befasia."
Ai pretendon se ekziston një tren sekret e i blinduar që përdoret nga presidenti rus dhe Kabaeva për të shkuar në një rajon në veri të Rusisë.
Gazetari shtoi se një tabloid rus ishte detyruar që të mbyllej vetëm një ditë pas publikimit të një raportimi se mes Putinit dhe Kabaevës ekzistonte një aferë sekrete.
Shembulli i tretë për fshehtësinë e jetës së Putinit, që ky gazetar e përmendi, është një raportim se disa ekspertë të gjinekologjisë nga Zvicra kishin shkuar në mënyrë sekrete në Rusi më 2019 për të asistuar në lindjen e fëmijëve të Kabaevës.
Sa u përket disa fotografive të publikuara, për të cilat gazetari pretendon se e shfaqin pjesën e brendshme të një shtëpie luksoze të Putinit, gazetarja e televizionit CNN e pyeti kolegun rus se a i thonë atij diçka ato pamje për Putinin dhe luftën në Ukrainë.
Ai u përgjigj: “Kemi një burrë 70 vjeç. Ai ka një të dashur të re dhe fëmijë të vegjël dhe ky burrë e do arin në mënyrë maniake dhe ai e do shumë jetën e tij të pasur dhe a beson ndokush se ky burrë është i gatshëm që të filloj një katastrofë bërthamore globale. Unë nuk besoj.”