Gazetar objektiv apo metodë objektive? - NACIONALE

Gazetar objektiv apo metodë objektive?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Abit Hoxha

Gjatë fillimshekullit XX, objektiviteti në gazetari u popullarizua si koncept i mendimit se si duhet të raportojnë mediat për publikun. Nga funksioni i medias në shoqëri, objektiviteti kuptohet si pikëpamje nga e cila korniza e ngjarjeve duhet parë më së miri, por a është ky koncept i aplikueshëm për profesionin e gazetarit apo është metodë vepprimi i marrjes së informacionit?

Objektivizmi i gazetarit nuk ekziston si i tillë. Në njërin nga librat më të mirë për gazetarinë, të autorëve Bill Kovach dhe Tom Resenstiel, ata diskutojnë për konceptin e objektiviteit në gazetari dhe marrin shembuj nga disciplina tjera, për shembull nga historia. Këtu, ata diskutojnë historianin Gordon Wood që citohet të ketë thënë se «njëri mund ta pranoj pikëpamjen se të dhënat historike janë të mangshme dhe fragmentuara...dhe se historianët kurrë nuk do të pajtohen për interpretimin e tyre» (Elements of Journalism, 2021). Por, autorët shtojnë se ata besojnë në një «të vërtetë onkektive për të kaluarën e cila mund të observohet dhe verifikohet në mënyrë empirike.»

Në vitet 1920-ta, kur objektiviteti mendohej si kornizë që mundëson gazetarëve të zhvillojnë metodë konsistente për testimin e vërtetësisë së informacionit- si metodë transparente dhe e verifikueshme, konteksti i të bërit gazetari ishte shumë i ndryshëm prej atij të sotit. Sot, informacionet dhe burimet më të mëdha për prodhimin e lajmeve vijnë nga një vorbull i qarkullimit të informatave të kuruara si të tilla dhe si të pakuruara në media sociale. Pra, nëse një cicërimë në twitter vjen nga një zyrtar nga një profil të verifikuar, nuk ka nevojë të verifikohet nëse është postuar apo jo sepse e vërteta objektive është e verifikueshme shumë lehtë edhe nga audienca. Pra, metoda e prodhimit të lajmeve duhet të jetë objektive, ndërsa gazetarët as nuk kanë nevojë të jenë objektiv.

Objektiviteti në gazetari ka për qëllim të ndihmoj audiencën të marrin vendime rreth burimeve, fakteve dhe informacioneve të përdorura në prodhimin e lajmeve duke i lënë ata të interpretojnë vetë lajmet. Detyrë e gazetarëve është të prezantojnë faktet pa marrë parasysh nëse ju pëlqejnë apo jo ato fakte dhe pa i menduar konsekuencat nëse ato fakte i pëlqejnë lidershipit politi kapo audiencës.

Në një studim të vogël që Poynter e bëri në vitin 2021, u pa se një numër përfaqësues i gazetarëve profesionist, pajtohen se objektiviteti vihet në pyetja gjatë raportimit ndërsa e vërteta është më e rëndësishme në ndërtimin e narracioneve politike. Herbert J. Gans citohet të ketë thënë se «gazetarët shkruajnë draftin e përafërt të parë të historisë» dhe e vërteta për këta draft është shumë e rëndësishme. Kjo edhe ndërlidhet me interpretimin e narrativave se cka në fakt ngërthen gazetaria si funksion në shoqëri demokratike është se diskurset për gazetarinë definojnë dhe prodhojnën objekte njohurie si kontribut kuptimplotë. Pra, zëri i paanshëm i përdorur nga shumë organizata mediale, si zë familjar dhe i supozuar si stil neutral i prodhimit të lajmeve, nuk është parim themelor i gazetarisë (Instituti i Shtypit Amerikan).

Krejt kjo, në kontekstin Kosovar, kur ju kërkohet gazetarëve të injorojnë disa fakte, sikur për shembull një cicërimë nga Senatori David Perdue i cili tha në Marsin e 2020 se «Nëse Kosova nuk është e dedikuar për paqe, ShBA-të duhet të rikonsiderojnë prezencën e tyre atje» dhe përkrahjen që kjo cicërime e mori nga i biri i Presidentit Trump, duhet parë në këto korniza të objektivitetit kundrejt të vërtetës.

Përderisa informata e plasuar ka qenë e vërteta dhe lehtësisht e verifkueshme, duke kërkuar «objektivitet» vetëm mund të i dalim në rrugë të vërtetës. Kjo, edhe kërkohet shumë shpesh nga gazetarët në Kosovë duke i kritikuar për mos-balancim, objektivitet dhe njëanshmëri në cështjet që në esencë janë objektivisht të vërteta dhe lehtësisht të verifikueshme. Kjo edhe e ka varfëruar kulturën e gazetarisë duke ja shtuar balancimin e panevojshëm të lajmeve. Pra, objektive duhet të jetë metoda e mbledhjes së fakteve dhe jo gazetarët të cilët janë vetëm kurues të informacionit që të ndihmojnë audiencën të marrin vendime të mirë-informuara.

Autori është njohës i medias, kulturës së gazetarëve dhe konfliktit. Hulumton prodhimin e lajmeve në konflikt dhe ballafaqimin me të kaluarën.

Lajme të ngjashme