Gashi për 25 vjetorin e Ditës së Çlirimit: Le të angazhohemi për një Kosovë ku sundon ligji dhe drejtësia - NACIONALE

Gashi për 25 vjetorin e Ditës së Çlirimit: Le të angazhohemi për një Kosovë ku sundon ligji dhe drejtësia

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në seancën solemne të Kuvendit, për nder të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, ka thënë se në këtë ditë të shenjtë, përulemi me respekt të thellë para të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë.

Gashi tha se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me guxim dhe sakrificë të pashoqe, luftoi për të drejtat dhe lirinë tonë, duke i treguar botës se populli shqiptar nuk do të nënshtrohej kurrë”.

Në këtë ditë të shenjtë, përulemi me respekt të thellë para të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë. Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, që luftuan me zemër dhe shpirt për një të ardhme të lirë dhe demokratike, janë heronjtë tanë të përjetshëm. Kujtimi dhe sakrifica e tyre na obligon që të punojmë pa u lodhur për ndërtimin e një shteti që respekton dhe mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij” - u shpreh ai.

Deputeti Gashi ka falënderuar edhe NATO-n, teksa ka pasur disa fjalë edhe për Ibrahim Rugovën.

Me vizionin e tij për pavarësi dhe me qasjen e tij diplomatike, ndërtoi ura të rëndësishme me komunitetin ndërkombëtar dhe udhëhoqi popullin tonë nëpër një periudhë të trazuar. Ibrahim Rugova u be simboli i shtetit dhe një inspirim për brezat e ardhshëm, duke na kujtuar se qëllimi për liri dhe pavarësia arrihen, më mençuri partneritet ndërkombëtar dhe dialog. Por, edhe me parapërgatitje për luftën final për çlirim.” – ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se ka ende sfida që nuk kanë përfunduar.

Le të jemi krenarë për të kaluarën tonë, të përgjegjshëm për të tashmen dhe të angazhuar për të ardhmen. Sepse vetëm kështu, me unitet dhe përkushtim, do të sigurojmë që Kosova të jetë gjithmonë një tokë e lirë, e pavarur dhe krenare. Le të angazhohemi për të ndërtuar një Kosovë ku sundon ligji dhe drejtësia, ku të drejtat e njeriut respektohen dhe mbrohen, dhe ku çdo qytetar ka mundësinë për të realizuar potencialin e tij të plotë. Kjo është detyra jonë dhe amaneti që na kanë lënë ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë tonë.” – ka thënë Gashi.

Lajme të ngjashme