Fundi i masave të BE-së: Nga qindra miliona humbje, te njohja e ID-ve të lëshuara nga strukturat ilegale - NACIONALE

Fundi i masave të BE-së: Nga qindra miliona humbje, te njohja e ID-ve të lëshuara nga strukturat ilegale

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Masat u hoqën. Fatura doli marramendëse: mbi gjysmë miliardi euro humbje, për të përfunduar te veprime që opinioni i gjerë ia lexon si legalizim de facto të strukturave ilegale serbe.

Ky është bilanci i Kosovës pas një periudhe afro trevjeçare, gjatë së cilës vendit iu ngrinë, iu shtynë ose iu stanguan plotësisht projekte me peshë qindra milionëshe, për shkak të shpërfilljes së kërkesave të 3 qershorit për hapa të menjëhershëm deeskalues në veri nga Qeveria Kurti II.

Së paku 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara, të vonuara ose të humbura deri në mesin e vitit 2025 vulosën pikërisht atë që Fondi Monetar Ndërkombëtar e kishte paralajmëruar rreth dy vjet më herët: se masat e Bashkimit Evropian, nëse zgjateshin, do t’i sillnin Kosovës pasoja serioze dhe afatgjata.

“Masat pritet të kenë një ndikim të kufizuar në 12-18 muajt e ardhshëm, pasi ato nuk zbatohen për projektet ose iniciativat tashmë në zhvillim, por ato mund të kenë një ndikim të rëndësishëm afatgjatë nëse qëndrojnë", thuhej në raport.

Ajo që në fillim u paraqit si një trysni me efekt të kufizuar, u shndërrua në barrë të rëndë për vendin.

Sipas raportit të GAP-it, deri në mesin e vitit të kaluar, mbi 350.7 milionë euro mbetën të bllokuara në sektorin e mjedisit, 114.4 milionë euro në energji, afro 57 milionë euro në digjitalizim dhe 15 milionë euro në kulturë.

Në këtë bilanc hynë projekte jetike si rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit në Prishtinë, impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj, rikonfigurimi i rrjetit energjetik dhe ndërlidhja e re Kosovë–Shqipëri, infrastruktura mbrojtëse nga përmbytjet dhe sistemet e ujitjes, si dhe investime në internet me kapacitet të lartë e në infrastrukturë moderne të të dhënave.

Nga ana tjetër, teksa moskoordinimi i Qeverisë Kurti me kërkesat për deeskalim po ia thante Kosovës qindra milionat në investime, Kurti mori një veprim që nga opozita ia cilësuan si “cenim i drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës".

Kreu i Qeverisë njoftoi së do të hapë një dritare tremujore gjatë së cilës qytetarëve të nationalitetit serb do t'u lejohet regjistrimi i fakteve civile duke përdorur kartën e identitetit të lëshuar nga strukturat jolegale, ku aplikantëve u lejohet përdorimi ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID-kartës së lëshuar nga strukturat jolegale.

"Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, deklaroi ai.

Me pranimin zyrtar të tyre për regjistrimin e fakteve civile, PDK argumenton se Kurti "i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës".

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës."

Lajme të ngjashme