"Frikë që Kosova lihet jashtë e mbrapa": Zëdhënësi i BE-së me fjalë të ashpra ndaj vendit tonë - NACIONALE

"Frikë që Kosova lihet jashtë e mbrapa": Zëdhënësi i BE-së me fjalë të ashpra ndaj vendit tonë

2 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Bashkimi Evropian është shprehur edhe një herë i shqetësuar në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, veprim që nga partnerët ndërkombëtarë po cilësohet si “i njëanshëm”. Kjo madje, duket të ketë shkaktuar shqetësim te blloku, e ku së fundi po përmendet edhe se ka frikë që “Kosova mund të lihet jashtë e pas”.

Këto deklarata i bëri gjatë ditës së sotme zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, ku tha se po vazhdon puna që dialogu të ecë përpara. Frika e vetme sipas tij, te Bashkimi Evropian është që populli i Kosovës dhe ai i Serbisë mund të lihen jashtë për shkak të zhvillimeve që po ndodhin tash e një kohë.

“Ne nuk frikësohemi nga një status quo, nuk frikësohemi për asgjë, vetëm se popujt e Kosovës dhe Serbisë mund të lihen jashtë, në atë që është për ata nga procesi i anëtarësimit.” – tha ai.

Më pas, Stano duket se kritikoi Qeverinë e Kosovës për “mënyrën e komunikimit”, kjo sipas tij, po ashtu shkakton frikë se Kosova jo vetëm që mund të lihet pas, por edhe jashtë.

“Ne po shohim shumë gjëra, ndaj të cilave kemi reaguar javët e fundit, sidomos ndaj Kosovës, vendimet e njëanshme dhe gjëra që kanë ngritur shqetësimet tona bashkë me mënyrën e sjelljes së komunikimit nga autoritetet e Prishtinës. Kjo shkakton frikë te ana jonë, që Kosova mund të lihet jashtë, dhe mund të lihet pas.”deklaroi ai.

Në fund, zëdhënësi evropian u shpreh se puna po vazhdon nga diplomatët evropian, si me partner në rajon, si me shtetet anëtare, ashtu edhe me ato jashtë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çka tha Amerika?

Përpos deklaratës së përbashkët me QUINT-in, përpos disa paraqitjeve publike të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier ku u deklarua rreth këtyre zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën me një komunikatë të gjatë të shtunën.

Mes tjerash, aty përmendej qartë se veprimet e Qeverisë së Kosovës rrisin tensionet dhe “kufizojnë mundësinë e ShBA-së për të shërbyer si avokat për Kosovën te ndërkombëtarët”.

“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.” – thuhej në këtë komunikatë.

Edhe dje, ambasadori Hovenier u deklarua në një intervistë mbi këtë çështje. Ai vlerësoi se nuk është bërë asnjë punë paraprake që identifikuar “mjetet alternative që të mundësohej vazhdimi i pagesës së përfitimeve sociale.”

“Dhe na habit fakti që paraprakisht nuk janë bërë përpjekje për të menduar mirë këtë dhe për të pasur strategji për të lehtësuar çështjen. Shqetësimi tjetër yni ka të bëjë me çështjet praktike. Nuk është sekret që Serbia e mbështet sistemin shëndetësor dhe arsimor në Kosovë. Dhe në fakt, ne kemi punuar tepër shumë dhe besojmë fuqishëm se me kalimin e kohës ato sisteme duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, sipas ligjit të Kosovës. Por sigurisht, Serbia do të vazhdojë të ketë të drejtën të vazhdojë të financojë dhe t’i mbështesë ato. Ne besojmë se duhet bërë në një mënyrë në përputhje me ligjet, kornizën e Kosovës dhe në mënyrë transparente për autoritetet e Kosovës.” – ka vlerësuar ambasadori Hovenier.

Ndërkaq, pas një vizite që pati nga ambasadorët e QUINT-it, kryeministri Kurti të martën doli me një deklaratë të gjatë ku tha se mënyra e komunikimit të vendimit “mund të ishte më e qartë”, duke pranuar atë që ia komunikuan SHBA-ja dhe BE-ja ditë më parë se; "një periudhë tranzicioni është e nevojshme".

“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë.” – ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme