Fotografia e Kurtit me Vuçiqin, Molliqaj: Sulmi në kanalin Ibër - Lepenc u bë hi për tri ditë
Kryetari PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka komentuar fotografinë e përbashkët të publikuar nga platformat e BE-së, ku shihet kryeministri Albin Kurti, presidenti serb Aleksander Vuçiq dhe liderët tjerë të rajonit.
Ai e ka kritikuar kryeministri Kurti për këtë fotografi, duke thënë se e ka harrur për pak ditë sulmin në kanalin ujor në Ibër - Lepenci, për të cilin e kishte akuzuar Serbinë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Molliqaj ka shkruar se sulmi i fundit u bë hi për tri ditë.
“Natën e sulmit, thirri konferencë në 23:30. Serbia, mediat, opozita ishin shënjestra e breshërisë. Kështu flamuri u ngrit në të kuqen e rrezikut. Por si u bë që pa kaluar as katër ditë, pa ndryshuar asgjë nga çka u tha, kryeministri i Kosovës është në kuadrin e njëjtë fotografik me atë Vuçiqin që, sipas tij, ka kapacitetin dhe vullnetin për ta dëmtuar mirëqenien e qytetarëve në Kosovë dhe këtë e bëri. E cilësoi si metodë të re, e ku hyri, e ku doli. Se sa ka të vërtetë një ngjarje dëshmohet me atë se si vazhdon. Kjo ndodhia e fundit u bë hi për tri ditë. E gjitha u konsumua si material zgjedhor”, ka shkruar Molliqaj.