"Folëm edhe për përgjimet": Veteranët tregojnë çka folën me Presidenten pas takimit - NACIONALE

"Folëm edhe për përgjimet": Veteranët tregojnë çka folën me Presidenten pas takimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar takimi i përfaqësuesve të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me presidenten e vendit Vjosa Osmani. Kjo e fundit, u ka premtuar se këshilltarët e saj ligjorë do t’i shohin ligjet që ndërlidhen me këto kategori, ku edhe do të shqyrtohen, derisa këta kanë kërkuar që Ligji për Pagën Minimale të mos dekretohet.

Fillimisht, përfaqësuesi i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku tha se presidentes ia kanë paraqitur ligjet që i ka shkelur qeveria.

“Kjo qeveri aktuale që është tash, jo vetëm që po i shkel ligjet, por në vazhdimësi po trumbeton në një shifër apo numër që nuk është kompetencë e tij, sepse çdo verifikim është bërë me komandantën dhe zingjirin komandues. Të gjitha lëndët për këto kategori janë në gjyq.” – tha ai para gazetarëve.

Tutje, sipas Klinakut, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është e interesuar që ta godas Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Presidentja i mori me shkrim ligjet ku duhet të zbatohet, i tham që ta luajë rolin e unitetit, sepse kjo qeveri është e interesuar që të shkaktojë përqarje, godit UÇK-në, krijo përçarje, e fitoi vota.” – u shpreh ai.

Ndërkaq, përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka treguar se deputetët do t’i bllokojnë që mos të hynë në parlament, atje ku sipas tij, “u fyen veteranët e luftës”, ndërsa përmendi edhe përgjimet.

“Do ta kundërshtojmë edhe me protestë, edhe të bllokojmë deputetët që mos të futen në atë parlament ku kanë fyer skajshmërisht veteranët e luftës, ku dolën edhe përgjimet, se i biseduam edhe përgjimet që kjo qeveri i ka bërë para një viti me ata që i kemi pasë kundërshtarë, duke biseduar me krimineël që t’i largojnë veteranët nga beneficioni.” – deklaroi ai.

Kërkesë e përfaqësuesve ishte që most ë dekretohet ligji, dhe se në lidhje me këtë, kanë marrë një përgjigje nga presidenca se do të shqyrtohet e gjithë çështja.

“Kërkesa jonë ishte që mos të dekretojë, most ë nënshkruajë, presidentja i ka këshilltarët e saj, tha se i ka profesorë që janë të paanshëm politikisht, që janë ekspertë të kësaj fushe, dhe paanshëm kanë me i pa të gjitha këto e kanë me vendosë. Nëse nënshkruajnë, ne thamë që do t’ia vendosë vetës një njollë të keqe dhe po e bën një punë të keqe.” – tha ai.

Presidentja ndërkaq, nuk ka folur për përgjimet, megjithëse, Jashari theksoi se “askush në Kosovë nuk ndihet mirë kur dalin këto përgjime”.

“Ne e kemi vec të paralajmëruar me datën 26 protestën tonë, atë ditë që mbahet seanca.” – tha Klinaku në fund.

Ndërkohë, presidentja e vendit Vjosa Osmani nuk e ka thënë ende ndonjë fjalë për këtë takim.

Ndryshe, në një seancë që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, deputetët e pushtetit, pa ata të opozitës, javën që lamë pas më 60 vota për dhe një abstenim kaluan Ligjin për Pagën Minimale.

Sipas këtij ligji, paga minimale do të jetë 264 euro.

Para më shumë një viti ky Projektligj kishte kaluar në lexim të parë derisa kishte mbetur peng dhe kishte shkaktuar indinjatë të thellë për shkak të përjashtimit të kategorive të veteranëve të luftës të cilët edhe kishin protestuar në numra të mëdhenj.

Ndërkaq në këtë ligj mbeten ende jashtë kategoria e veteranëve të luftës “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual." - thuhet në dispozitën që përmbahet në këtë projektligj.

Amandamenetet e propozuara nga AAK dhe PDK që në këtë projektligj të përfshihen veteranët luftës, nuk janë pranuar nga mazhoranca parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të ngjashme