Fobia prej BDI-së i bën bashkë maqedonët e aleatët e Kurtit
Prishja e koalicionit VLEN nuk po i duket shqetësim serioz partisë bashkqeverisëse nga kampi maqedon, VMRO-DPMNE.
Eksponentë të partisë më të votuar maqedonase janë shprehur se me anë të këtij koalicioni është fituar besimi përballë BDI-së.
Në një intervistë për Alsat, deputeti i VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski ka paralajmëruar se kryeministri Mickoski do të fillojë së shpejti bisedimet me secilin partner të koalicionit, përfshirë edhe partitë që janë pjesë e VLEN-it.
“Tani të shohim se çfarë mund të ndihmojnë ne, si parti më e madhe politike, në menaxhimin e procesit që të mbrohet kompaktësia e shumicës parlamentare, por në çdo rast stabiliteti i qeverisë nuk është i rrezikuar”, ka deklaruar Milloshoski.
Në anën tjetër, partia tjetër maqedone ZNAM, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, ka qenë më e ashpër në paralajmërimet e saj.
Sipas këtij subjekti politik, është i papranueshëm partneriteti me këdo që bashkëpunon me dyer të hapura ose prapa dyerve me BDI-në e pareformuar.
Zëdhënësi i kësaj partie, Nikola Memov, ka vlerësuar se trazimet brenda kampit shqiptar nuk përbëjnë kërcënim për shumicën qeverisëse dhe se koalicioni qeveritar po funksionon mirë.
“Qeveria është stabile, koalicioni i ZNAM-it dhe VMRO-DPMNE-së ka një shumicë prej 64 deputetësh dhe deputetët e koalicionit VLEN e mbështesin qeverinë”, ka thënë Memov, përcjellin mediat maqedonase.
Përndryshe, nga e mërkuara katër partitë shqiptare – Aleanca për Shqiptarët e krahut të Taravarit, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa – i kanë dhënë përfundimisht fund mundësisë që ta shtyjnë edhe ndonjë ditë bashkëjetesën e tyre të vështirë.
Aleanca për Shqiptarët e Taravarit e ka ndarë mendjen që në zgjedhjet lokale të shkojë me listë të veçantë.
Ndërkohë, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, përveçse e kanë leçitur subjektin e Taravarit, tashmë kanë vendosur të garojnë si listë e përbashkët.