Flet Kurti pas raportimeve se u kërcënua me jetë: Nuk u ndjeva i rrezikuar, por pash shumë forca policore - NACIONALE

Flet Kurti pas raportimeve se u kërcënua me jetë: Nuk u ndjeva i rrezikuar, por pash shumë forca policore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur mbi raportimet se ka pasur kërcënim me jetë ndaj tij, duke thënë se “ka mësuar që ka shumë kërcënime nga struktura e individë në Beogradin zyrtar”.

Kurti para gazetarëve, pasi bëri homazhe për ish-aktivitët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, u pyet nga gazetarët mbi raportimin e publikuar pak minuta më parë nga Radio Televizioni i Kosovës.

Kurti ka thënë se nuk është ndjerë i rrezikuar, por ka vërejtur shumë forca policore.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate.”ka thënë ai.

Çka raportoi RTK-ja?

Radiotelevizion i Kosovës pasditen e së shtunës publikoi një raportim ku thuhej që institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se nga Serbia, ka përpjekje për vrasjen e Kurtit, derisa ky po qëndron në Shkup.

Një gjë e tillë, raportohej të ketë ardhur pas mbedhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tutje thuhet që janë marrë të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, me të arritur Kurti mbrëmë në Shkup.

Televizioni publik raporton se i është thënë që kërcënimi për jetën e Kurtit ka qenë serioz, “sidomos duke marrë parasysh se kanë ardhur nga disa burime të informacionit”.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe.” – citohet të ketë thënë ky burim.

RTK po ashtu raportoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ka hyrë në vendin tonë, ndërkaq tutje thonë se “do të provojnë ta publikojnë versionin e plotë të kësaj ngjarje”.

Lajme të ngjashme