Flet djali i Pantiqit: Babai im ishte peng, jo i paraburgosur - NACIONALE

Flet djali i Pantiqit: Babai im ishte peng, jo i paraburgosur

3 vjet më parë

nga Elmedina Ballazhi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë me përfaqësuesit e serbëve, kishte bërë të ditur lirimin e ish- policit serb, Dejan Pantiq.

Predrag Pantiq, djali i ish-policit serb, Dejan Pantiq, ka deklaruar se babai i tij ishte peng, e jo i paraburgosur, shkruan media pro regjimit të Vuçiqit, N1, përcjell Nacionale.

Pantiq tha se babai i tij, i cili u lirua në arrest shtëpiak të mërkurën, kishte informacione se barrikadat ishin ngritur, por ai nuk ishte i vetëdijshëm se e gjitha ishte për shkak të tij dhe se do të kishte qenë më e lehtë për të nëse do ta dinte se njerëzit ishin me të.

Kushtet dhe mënyra se si u mbajt nuk kanë të bëjnë me paraburgimin, është më shumë sikur të ishte rrëmbyer”, tha djali i Pantiqit.

Ai, ka deklaruar se është ndaluar në një dhomë të improvizuar, pra në një kontejner katror, ​​se babai i tij nuk ka pasur shtrat për një ose dy ditë, por ka fjetur në një karrige, se ka shkuar në tualet i shoqëruar nga punonjës policie dhe nuk ka pasur akses në banjë për 17 ditë.

Predrag, ka deklaruar se babai i tij nuk ishte ankuar për trajtimin që iu ishte bërë nga Policia e Kosovës.

“E kishte të vështirë mendërisht, por nuk kishte ankesa të tjera dhe nuk është ankua për trajtimin që i ishte bërë nga policia e Kosovës. Ai aktualisht është me ne, është mirë, është stabil, ka të gjithë terapinë që i duhet dhe kujdesin e familjes”, tha Predrag Pantiq.

Ish-polici serb, Dejan Pantiq, është arrestuar nga policia e Kosovës më 10 dhjetor në Jarinje.

Nderkaq, djali i tij ka bërë të ditur se arresti shtëpiak përfundon më 9 janar, por se nuk dihet nëse do të zgjatet dhe as nëse dhe kur do të caktohet seanca.

Pantiq akuzohet për organizimin e një “sulmi terrorist” në objektin e KQZ-së në veri të Kosovës, ndërsa djali i tij pretendon se këto akuza janë politike dhe se babai i tij është i pafajshëm.

Lajme të ngjashme