Fjalimi i përsosur i ish-Albin Kurtit për këtë Albin Kurtin, për të zhbllokuar Kuvendin
- Antitezë e vetes.
Kosova sot do të ishte me Kuvend të konstituar po ta dëgjonte Albin Kurti fjalimin e vet të dhënë më 2017 në seancë konstitutive.
Në asnjë mënyrë Vetëvendosja, thoshte ai, nuk e voton Kadri Veselin, i cili s’i kishte votat – por, se fillimisht ua njeh të drejtën ekskluzive për të propozuar. Por ama, kjo e drejtë është edhe e konsumueshme. Dhe kjo, sipas tij, me një lexim “progresiv” të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
Kësisoji, vazhdonte të argumentonte ai, “e drejta për të nominuar (kandidatin për Kryetar të Kuvendit) nuk mund të monopolizohet”.
Deputeti ish-Albin Kurti asokohe, thoshte se meqenëse e drejta për të zgjedhur e PDK’së nuk shoqërohet me shumicë parlamentare, atëherë deputetët tjerë mund të bëheshin bashkë dhe ta zgjedhin vetë.
“E drejta për të nominuar nuk mund të monopolizohet. Shumica jonë e deputetëve që vijmë rregullisht këtu, së bashku, të propozojmë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat tona. Kushtetuta i jep të drejtën ekskluzive për të propozuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit ‘grupit më të madh parlamentar’. Këtë rregull ne duhet respektuar. Por, së pari, ky rregull duhet kuptuar. Gjykata Kushtetuese varet nga Kushtetuta dhe jo anasjelltas. Nuk ka dyshim se kuptimi i shprehjes në Kushtetutë është ky: ‘secili grup që ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit’, pra secili grup parlamentar që i ka 61 vota, apo më shumë se aq. Nuk ka dyshime për këtë, sepse, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së Kryeministrit, ky rregull nuk ofron zgjidhje për ndonjë bllokim të mundshëm. Kështu që, duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos mund të ndodhin bllokime. Interpretimi duhet të jetë progresiv në kontrast me atë që të ngujon në pat pozicion”, thoshte Albin Kurti në fjalim.
Njëjtë sikurse sot, që vendi ka mbetur pa marrë paratë e Fondit të Rritjes (deri në 900 milionë euro) dhe që vendi mbetet edhe nën sanksione të BE-së – Kurti i denonconte të këqijat e kohës si pasojë e bllokadës institucionale.
“Kosova po humb shumë prej vonesave që po ia shkakton udhëheqja e PDK-së. Tashmë prej Kosovës po tërhiqet FMN-ja, po i ndal programet e ndihmave financiare për Kosovën, shkaku i vonesave që i shkaktojnë bojkotuesit e Kuvendit. Gjendemi përballë krizës energjetike, për shkak të menaxhimit të keq nga të dirigjuarit e PDK-së. Jemi të izoluar nga vizat si pasojë e korrupsionit dhe mosluftimit të tij. Bankat investive nga e gjithë bota e kanë vendosur Kosovën në listën e zezë, për shkak se nuk ka shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit. Pra këta të njëjtit janë arsyeja se pse nuk ka investime të huaja në Kosovë. Këta janë arsyeja se pse e kemi këtë varfëri të gjerë e ekstreme”, thoshte ai.





