Fitore taktike po, por deri kur?
Vënia e shulit dhe dryrit për qymeza e bodrume, që strehojnë struktura paralele serbe, është e drejta që nuk iu kontestua asnjëherë Kosovës gjatë këtyre viteve. Veprime si këto, afërmendsh, luajnë bukur mirë me sedrën e të qenit krenar për shtet. Porse kur aksione të tilla, që bëhen sherr edhe me Prokurorinë, bëhën në pikun e fushatës zgjedhore, serioziteti i tyre lë shumë për të dëshiruar. Këto fitore taktike me kosto të panjohur rrezikojnë të shndërrohen në lëndë të parë për eurokratë në Bruksel që heqjen e masave sanksionuese ta kthejnë në një proces të stërmundimshëm e me kushte turlifare.
Col Mehmeti
Një fitore taktike ose një kallabllak fitoresh taktike nuk ia hapin derën domosdo një fitoreje të madhe strategjike. Kur një cak strategjik është i mjegullt, një fitore e madhe taktike mund të marrë yrysh drejt një disfate strategjike. Vetë operimi me terma të këtillë, diskutimin për atë se ç’domethënë një fitore e fillon dhe e mbaron me thjerrëza të analizave ushtarake.
William C. Marteli nxjerr nga thesi i teorive të strategëve e analistëve një dyzinë sosh; sipas tij, suksesi taktik nga sheshbeteja nuk barazohet me jetësim qëllimesh politike. Taktikja këtu përbëhet vetëm nga të mbërrime afatshkurte planesh të atypëratyshme operative.
Ky sfond teorik nuk ka as më të voglin nënkuptim se veprimet e institucioneve të Kosovës janë të natyrës ushtarake, me plane operative e me sheshbeteja. Policia e Kosovës, gjatë të mërkurës, kreu një aksion në shkallë vendi për t’i vënë shulin institucioneve paralele në komunat e Lipjanit, Kastriotit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Artanës, Dardanës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Në terma etikë, justifikimet që i jep Vetëvendosja mund të duken të bukura, si fjala vjen, ato të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. “Diskutimi për institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të duhej të bëhej se pse janë mbyllur sot, por si kanë qenë të hapura deri sot”, siç u tha në afishimin e sotëm të tij.
Pse tani?
Si çdo lojë tjetër me fjalë, edhe kjo e ka hak pyetjen tjetër: pse Vetëvendosja në 1461 ditë qeverisje të saj zgjedh bash javët e parafundit të mandatit për veprime si këto? Arsyetimi i ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, mund të jetë i paqortueshëm në nivel të avokimit të pozicionit të Kosovës.
“Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tension”, shkroi Bajrami në llogarinë e tij në platformën X.
Problemi kardinal është se strukturat paralele, edhe kur janë veçse qymeze e bodrume me lagështirë e myk, kanë potencialin të bëhen temë e të ngacmojnë reagime të njësojta nga ambasadat kryesore perëndimore në Kosovë.
Ç’është e vërteta, reagimi prej disa radhësh i BE-së as nuk e kundërshtoi mbylljen e strukturave të mbështura nga Serbia dhe as nuk e vuri në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për një gjë të tillë.
“Veprimet e fundme kundër strukturave të mbështetura nga Serbia dhe për mbylljen e tyre, të kryera në mes të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, janë kundër detyrimeve karshi Bashkimit Eropian dhe procesit të normalizimit”, u tha në reagimin e BE-së, i cili sakaq u bë qëndrimi i përbashkët për shumë nga ambasadat perëndimore.
Duke e komentuar tekstin tejet lucid të BE-së, fitoret e tilla taktike ngjajnë të kenë prapa vetes një risk i cili, si gjithmonë, në çaraveshjen emocionale as nuk bëhet hesap. Kështu, eurokratët në Bruksel fitojnë një arsye më shumë për ta zvarritur heqjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës, duke e bërë atë një proces që këqyret me llupë, njësoj si dikur liberalizimi i vizave, ku kriteret shtoheshin e shtoheshin.
Fitore taktike, por…
Nga kjo penxhere e kishte lexuar gjendjen edhe analisti Darryl Scarborough, i cili, në një vështrim të botuar para disa muajsh, shkruante se mësymja e Kosovës për ta vënë kontrollin e saj në veri ka korrur fitore taktike, porse me një faturë pas vete.
Sipas tij, operacioni paramilitar që solli Banjën shërbeu si katalizator për veprimet e Prishtinës, e cila përfitoi jo pak nga dënimi thuajse i njëzëshëm i Perëndimit ndaj Beogradit. Megjithatë, momentumi i 2023-s nuk ishte thënë të zgjaste shumë.
Në parlancën e eurokratëve në Bruksel fare pak ka konsiderata për ato që në audiencat lokale konsiderohen fitore a përparësi morale. Fjalëkyçe të tilla si ‘deeskalimi’ zor që kundërpeshohen me tirada e kushtrime që sokëllijnë në kohë fushatash zgjedhore — madje ato rrezikojnë ta bëjnë ‘deeskalimin’ lak me më shumë shtrëngesa e kushtëzime.