Filmi i njëjtë, skenari i njëjtë: VV-ja me drama për certifikimin e Listës Serbe, reagon krejt kori diplomatik - NACIONALE

Filmi i njëjtë, skenari i njëjtë: VV-ja me drama për certifikimin e Listës Serbe, reagon krejt kori diplomatik

1 javë më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje e ka kthyer në skenë filmin e njëjtë para zgjedhjeve.

Atë të certifikimit të Listës Serbe.

KQZ-ja nuk e certifikoi këtë parti, me dy vota kundër, e me partitë e tjera që abstenuan.

Kjo mjaftoi që krejt kori diplomatik të reagojnë ashpër.

Bashkimi Evropian, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe Misioni i OSBE-së kanë shprehur shqetësime serioze për pavarësinë e institucionit që menaxhon zgjedhjet, duke akuzuar drejtpërdrejt partitë politike – specifikisht Lëvizjen Vetëvendosje – për ndërhyrje dhe politizim të procesit.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur “keqardhje” për vendimin, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për një proces gjithëpërfshirës zgjedhor.

“Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së,” thuhet në reagimin e tyre.

Shqetësim serioz ka shprehur edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Diplomati britanik ka paralajmëruar se pengimi i pjesëmarrjes së subjektit kryesor serb në zgjedhje mund të ketë pasoja afatgjata për imazhin demokratik të shtetit.

“Ndihem seriozisht i shqetësuar me përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të gërryejnë reputacionin me mund të fituar të Kosovës si demokraci shumetnike dhe dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të afërt”, ka deklaruar Hargreaves në një postim në Facebook.

Diplomati britanik ka bërë thirrje që procesi të kthehet në binarë ligjorë dhe institucionalë, duke theksuar rolin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si instancë që duhet të garantojë respektimin e ligjit. “Shpresoj që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe një herë ta vlerësojë aplikimin e Listës Serbe për certifikim në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës”, ka shtuar ai.

Shqetësimeve për vendimin e KQZ-së u është bashkuar edhe Misioni i OSBE-së, i cili ka vlerësuar se një veprim i tillë përbën hap prapa nga standardet ndërkombëtare.

“Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore... Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur,” thuhet në reagimin e OSBE-së.

Lista Serbe nuk u certifikua si subjekt për të garuar në zgjedhjet parlamentare me votim kundër të Vetëvendosjes, dhe abstenim të partive të tjera. Anëtarët e PDK-së dhe LDK-së thanë se për këtë çështje ka veçse vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme.

Po ashtu, thanë ata, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Neni 16, Pika 3, e jep që një subjekt i regjistruar me automatizëm certifikohet. Për ndryshe, thanë ata, abstenojnë. Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi të Vetëvendosjes, votuan kundër certfikimit.

Lajme të ngjashme