Vazhdon takimi në Bruksel - NACIONALE

Vazhdon takimi në Bruksel

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR

Është duke vazhduar takimi në Bruksel, i filluar ky para afër 35 minutash. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq, bashkë me emisarët evropianë për dialogun kanë filluar diskutimet.

Ende nuk dihet se sa do të zgjasë ky takim, por ajo që është e rëndësishme, palët kanë paralajmëruar konferencë për media.

Kujtojmë faktin se temë kryesore pritet të jetë diskutimi i pranimit eventual të propozimit evropian (franko-gjerman), të cilin palët e kanë pranuar në parim.

Takime në Bruksel, Kurti e Vuçiq kanë pasur edhe me emisarin e Amerikës, Gabriel Escobar.

Ndërkohë, duhet thënë që emisari special Lajçak javën e kaluar ka thënë se në këtë takim shpresonte që do të arrihej zyrtarizimi i pranimit të propozimit nga ana e të dy liderëve shtetërorë.

Ky takim ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e ShBA-ve me anë të nënsekretarit amerikan Derek Chollet, që kishte pasur thirrje telefonike me Kurtin e më pas edhe me Vuçiqin.

Në anën tjetër, duhet përmendur se Kurti dhe Vuçiq kishin marrë edhe nga një letër të përbashkët nga ana e kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Partitë opozitare në Kosovë ndërkohë po qëndrojnë edhe më tej shumë të heshtura në lidhje me zhvillimet e fundit në dialog.

Twitter

Shefi i diplomacisë evropiane ka postuar disa fotografi nga takimi ku ka shkruar se shpreson në një qasje konstruktive nga palët.

I urova mirëseardhjen Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të Dialogut Beograd - Prishtinë.

Në rendin e ditës: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dy palët.

Lajme të ngjashme