Përfundon takimi i Kurtit me Borrell e Lajçak, futet Vuçiq - NACIONALE

Përfundon takimi i Kurtit me Borrell e Lajçak, futet Vuçiq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I PËRDITËSUAR:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përfunduar takimin me Joseph Borrell e Miroslav Lajçak.

Kështu raporton Evropa e Lirë duke u thirrur në burime, të cilat kanë bërë të ditur se tashmë ata kanë nisur takimin me presidentin e Serbisë.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit - të gjashtin me radhë - si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Pas orës 17:00 pritet të nis takimi “kokë më kokë” ndërmjet Kurtit e Vuçiqit.

Ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Kurti është duke zhvilluar takimin me Joseph Borrell e Miroslav Lajçak, mëson Radio Evropa e Lirë.

Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.

Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t'i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes Kurtit dhe Vuçiqit si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

BE-ja thotë që s'do të jetë takimi i fundit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, më herët gjatë ditës u shpreh se “ky nuk është takimi i vetëm dhe i fundit” duke shtuar se priste edhe takime të tjera.

“Liderët e Serbisë dhe Kosovës po provojnë të shkojnë hap pas hapi për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që çojnë në marrëveshje gjithëpërfshirëve mbi normalizimin e marrëdhënieve.” – vazhdoi ai.

“Ne presim që të dyja palët, liderët e tyre, të shfaqin sjellje evropiane dhe të gjejnë forcë politike, kurajo, për një kompromis evropian në të mirë të qytetarëve të tyre dhe për perspektivën evropiane,”

Borrell priste diskutime gjithë ditën

Kryediplomati evropian Josep Borrell ka thënë që priste që negociatat e sotme, 27 shkurtit, të zgjasnin gjithë ditën. Në anën tjetër, emisari special Llajçak, ishte shprehur që priste zyrtarizim të pranimit të propozimit të prezantuar edhe nga Kurti por edhe nga Vuçiqi.

Letrat e ndërkombëtarëve

Presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri Kurti kanë pranuar letra nga ana e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Që të dy janë paralajmëruar për rëndësinë e madhe të këtij takimi, dhe janë inkurajuar që të mbajnë qëndrime konstruktive.

Në anën tjetër, nënsekretari amerikan Derek Chollet, po ashtu ka treguar se edhe ShBA-ja e mbështet fuqishëm këtë takim.

Lajme të ngjashme