Fillon “mbushja” e tregut kosovar me mallra serbe: Sveçla tregon kushtet e kalimit, BE-ja dhe ShBA-ja e mirëpresin vendimin - NACIONALE

Fillon “mbushja” e tregut kosovar me mallra serbe: Sveçla tregon kushtet e kalimit, BE-ja dhe ShBA-ja e mirëpresin vendimin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndryshuar masën e sigurisë për produktet serbe, ka filluar hyrja e mallrave serbe në Kosovë. Me fillimin e zbatimit të vendimit, disa maune me mallra serbe janë futur në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare. Vendimi i Qeverisë është përshëndetur nga BE-ja dhe ShBA-ja.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se vetëm pika kufitare në Merdare është hapur për mallrat me origjinë nga Serbia.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka bërë me dije se në këtë pikë kufitare do të hyjnë të gjitha mallrat serbe.

Sipas tij, të gjitha mallrat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.

“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare. Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, ka shkruar Sveçla.

Këtë veprim të Qeverisë së Kosovës e ka mirëpritur Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Nacionalen, nga Zyra e BE-së kanë thënë se tregtia e lirë, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Njerëzit dhe bizneset përfitojnë!”, është thënë në përgjigje.

I kënaqur me veprimin e Qeverisë Kurti është shprehur ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ai ka vlerësuar se ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën e tij drejt integrimit europian.

“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën e tij drejt integrimit europian. Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar Hovenier në llogarinë e tij në platformën “X”.

Kryeministri Albin Kurti dje ka njoftuar se Qeveria e Kosovës në njërën prej pikave kufitare me Serbinë, Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar.

“Sot paradite ministri Sveçla i ka shkruar drejtorit të Doganave, që në njërën prej pikave kufitare me Serbinë, Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët, kur të vijnë skanerët, ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, derisa të mos vinë do ta hapim një pikë kufitare, e cila do të ketë kontrollin e shtuar, pasi masat tona janë të sigurisë. Në 7 ditët në vijim kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme: pasnesër mbledhja e CEFTA-s, e sot një javë, samiti i procesit të Berlinit, e ku presim të kalohet nga Cefta në CRM, Tregu i Përbashkët Rajonal.”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës është përshendetur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Nëpërmjet një reagimi në X, Rode ka vlerësuar vendimi shënon "hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s".

“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdare për mallrat që vijnë nga Serbia. Ky shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Kosovën për të siguruar që nevojat e saj të sigurisë të plotësohen dhe të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka shkruar diplomati gjerman.

Një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas presionit të madh gjerman.

Kosova ishte kushtëzuar me heqjen e kësaj ndalese ose do të mbetej jashtë Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) si dhe do të pasonin dëmet sa i përket përfitimit në Fondin e Rritjes të BE-së.

Lajme të ngjashme