Fillon gara e meritave për Lojërat Mesdhetare: Qeveria s`e përmend Prishtinën, opozita e “harron” Qeverinë - NACIONALE

Fillon gara e meritave për Lojërat Mesdhetare: Qeveria s`e përmend Prishtinën, opozita e “harron” Qeverinë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shpallja e Kosovës si shtet nikoqir për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 është pritur me entuziazëm në vend.

Fitimi i kandidaturës për organizimin e kësaj ngjarja të madhe sportive është vlerësuar si historike për Kosovën. Menjëherë pas votimit, në Kosovë ka filluar gara në mes të pozitës dhe opozitës për t`i marrë meritat për organizimin e kësaj ngjarje.

Në urimet e tyre pushtetarët nuk përmenden askund kontributin e Komunës së Prishtinës për marrjen e kësaj të drejte, kurse opozita nuk e ka përmendur kontributin e Qeverisë në këtë drejtim.

Me këtë garë në mes të pushtetit dhe opozitës për t`i marrë meritat ka ironizuar analisti Imer Mushkolaj.

Luftë e rreptë po zhvillohet kush me marrë ma shumë merita për organizimin e Lojnave Mesdhetare. Sport i njohun ky për shqiptarë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ndonëse në momentin e votimit ishte bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, kryeministrin Albin Kurti në urimin e tij nuk e ka përmendur fare Prishtinën si nikoqire e këtyre lojërave.

Teksa nisim këtë rrugëtim drejt Prishtinës 2030, më lejoni t'i uroj të gjithë në Kosovë, veçanërisht sportistët tanë dhe komunitetin tonë sportiv. Kjo arritje është rezultat i punës së palodhur të njerëzve në qeverinë tonë dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës. Ky rezultat është një kurorë ndërkombëtare mbi zotimin rekord financiar dhe operacional në nivel kombëtar”, ka shkruar Kurti.

Opozita nuk e përmend Qeverinë

Edhe liderët opozitarë kanë uruar qytetarët e Kosovës për këtë ngjarje, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme.

Në urimet e tyre, ata nuk kanë përmendur fare kontributin e Qeverisë në marrjen e kandidaturës për organizimin e këtyre lojërave.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vlerësuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 është një ngjarje historike për sportin, kryeqytetin dhe shtetin e Kosovës.

Jemi të lumtur dhe përgëzoj Komunën e Prishtinës, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe akterët tjerë relevant që punuan me përkushimin më të madh në arritjen e këtij momenti historik. Lojrat Mesdhetare janë mundësi ideale për ta zhvilluar infrastrukturën sportive, japin një impuls të madh zhvillimit ekonomik të vendit dhe mbi të gjitha pasqyrojnë imazhin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Andaj le të punojmë fort që ky organizim të bëhet në mënyrën më profesionale dhe dinjitoze për shtetin tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Urim të ngjashme ka shprehur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

As ky nuk e ka përmendur Qeverinë në statusin e tij.

Përgëzime Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Drejtorisë për Sport, si dhe të gjithë atyre që janë angazhuar për të arritur këtë sukses. 26 shtete, 19 nga Evropa, 5 nga Afrika dhe 2 nga Azia do të zbarkojnë në Prishtinë për t’i dhënë shkëlqim e frymë sportive Kryeqytetit tonë. Mirëardhshi në Kosovë. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Krasniqi.

Urimi i Krasniqit, i ka penguar deputetit të VV-së, Dimal Basha.

Këtij të fundit duket se atij i ka mbetur hatri që Krasniqi nuk e ka përmendur Qeverinë.

Veç FC Latën edhe Shoqatën Kulturo-Artistike t’Zllakuqanit nuk e paska uru për korrjen e kësaj fitore të madhe! Ani edhe plotë portale kaps apet, dojnë me plas”, ka shkruar Basha, duke e shpërdar postimin e Krasniqit.

Në urimin e tij, deputeti i VV-së meritat për këtë sukses të Kosovës ia ka dhënë kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Hajrulla Çeku.

Urime të gjithë qytetarëve, e në veçanti Ministrit Hajrulla Çeku për organizimin dhe koordinimin me të gjthë akterët e tjerë institucional, përfshi edhe vet Kryeministrin, i cili i dha mbështetje tê fuqishme këtij organizimi duke u angazhuar dhe personalisht në arritjen e këtij qëllimi! Falenderim i veçantë gjithashtu për shtetin amë shqiptar, për ndihmën dhe mbështetjen e parezervë, si dhe ndihmën për lojërat ujore që do t’mbahen në Durrës!”, ka shkruar Basha.

Lajme të ngjashme