"Femicidi", "Nuk jemi Iran": Përplasja e ashpër e grave në Kuvend për arsyet pse po vriten gratë
Në Kuvendin e Kosovës, një ditë pas 8 marsit, ka pasur një përplasje mes deputeteve në lidhje me një fjalë: femicid. Çka ndodhi?
E gjitha nisi kur një deputete e Vetëvendosjes me emrin Arjeta Fejza dënoi dhunën ndaj grave dhe e përmendi termin “femicid”. Ajo u shpreh mes tjerash se në Kosovë kishte femicid. Kjo u kontestua nga deputetja e PDK-së, znj. Ganimete Musliu.
“Në Kosovë, gruaja i gëzon të gjitha të drejtat... ne duhet të punojmë shumë që të zbatohen ligjet në Kosovë. Nuk ka femicid. Shoqëria kosovare është demokratike. Nuk ka femicid në Kosovë. Nuk jemi as Iran e as Afganistan,” – u shpreh znj. Ganimete Musliu në fjalën e saj.
Këto deklarime të Musliut u denoncuan menjëherë nga deputetja Fejza fillimisht.
“Unë konsideroj që është e papranueshme të thuhet që nuk ka femicid në Kosovë. Të thuhet që gratë nuk vriten vetëm pse janë gra,” – tha Fejza.
Ministrja Albulena Haxhiu ndërkohë reagoi menjëherë.
“Nuk do të doja që të kishte asnjë deputete të tillë që del në foltore të Kuvendit. E nderuara deputete Musliu, që nga viti 2000 deri në vitin 2022, kemi pasur 66 gra që janë vrarë nga partnerët apo bashkëshortët e tyre. Dhe arsyeja pse, është vetëm sepse janë gra. Vetëm sepse burrat konsiderojnë që kanë të drejtë të bëjnë gjithçka ndaj grave. Po, në Kosovë ka femicid. Mendësia jote shpërfaq mendësinë e qeverisjes së PDK-së. Asnjë veprim s’e keni ndërmarrë për dhunën ndaj grave,” – u shpreh znj. Haxhiu.
Ajo u shpreh se Qeveria po bënte veprime maksimale që të pavarësonte ekonomikisht gratë dhe vajzat e Kosovës.
“Kjo (qasja e Musliut) po inkurajon dhunuesit. Nëse nuk mund të na ndihmoni, heshtni,” – u shpreh znj. Haxhiu, por fatkeqësisht pa arritur që t'ia sqaronte deputetes së PDK-së dhe qytetarëve të Kosovës arsyet pse kishim femicid në Kosovë dhe përmbajtjen më të zgjeruar të këtij termi.
Por, më pas patëm sërish një reagim nga Musliu.
“Sinqerisht, të dalë një ministre e drejtësisë dhe të flas në këtë formë nuk do koment. Në Afrikë të Jugut vriten gratë dhe vajzat, vetëm pse janë gra dhe vajza. Në Afganistan mund të themi se ka edhe femicid. Unë me pasë kanë në vendin tuaj znj. Haxhiu, dhe me dalë një deputete e grupit tuaj e me kërku komision hetimor parlamentar për dhunën ndaj grave. Po flasim për vrasjen e grave vetëm pse janë gra. Prandaj, ju lutem shumë keni kujdes kur përdorni terminologji për t’u dukur “high class”. Tendenca për ta shpallur shoqërinë kosovare “femicide” është e rrezikshme.” - tha znj. Musliu.
Pastaj, pasi deputetja Fejza e kërkoi sërish fjalën, kryekuvendari i Kuvendit i pati këto fjalë:
“Po mendojnë këtu që deputetët mund të flasin me njëri-tjetrin. Është krejt huqje. Është gabim,” – u shpreh ai.
Debati në fjalë vazhdoi edhe jashtë asaj që mund ta dëgjonim.
“Ju në një farë forme e arsyetuar vrasjen ndaj grave. Jeni e papërmirësueshme znj. Musliu,” – i tha Albulena Haxhiu.
“Mos e keqpërdorni znj. Haxhiu,” – i tha Glauk Konjufca ministres më pas.
“Në bazë të asaj se çka po thotë ministrja në këtë Kuvend, unë qysh sot kërkoj nga shteti që të më mbrojë sepse edhe unë jam një grua... Unë publikisht kërkoj nga ministrja e Drejtësisë, nga të gjithë, që mua sot të ma garantoj, sepse del dikush më vranë veç sepse jam grua në sheshin e Prishtinës,” – tha deputetja më tej.
Çka është femicidi?
Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme ka kërkuar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për rastet e dhunës seksuale në pesë vitet e fundit.
Por, çka është femicidi sipas fjalorit të Oksfordit.
Përshkrimi në vijim është definicioni i dhënë: “vrasja e një gruaje apo vajze, sidomos nga një burrë dhe për shkak të gjinisë së saj,”
Më përgjithësisht, një krim i tillë definohet si “vrasja e qëllimshme e grave apo vajzave për shkak se ajo janë femra”. Por, natyrisht se përmbajtja e këtij termi nuk kufizohet vetëm në këtë pikë.
Autorja feministre Diana Russell konsideron që burrat kryejnë femicid me motive seksiste, por këtë term ajo e përdor jo vetëm për vrasjet e motivuara nga misogjinia por edhe nga sensi i superioritetit mbi femrat, kënaqësia seksuale, apo presupozimi i pronësisë mbi gratë.
