Fejzullah Rexhepi dekretohet si kryetar i ri i Gjykatës Supreme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar Fejzullah Rexhepin, si kryetar të ri të Gjykatës Supreme.
Përmes njoftimit nga Presidenca e Kosovës, bëhet e ditur se në takim ka marrë pjesë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.
“Me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Presidentja Osmani ka dekretuar z. Rexhepi, kryetar të ri të Gjykatës Supreme.” – thuhet në njoftim.
Tutje Osmani ka theksuar rëndësinë e funksionimit të pavarur të sistemit gjyqësor, dhe në veçanti, rolin e Gjykatës Supreme brenda këtij sistemi.
“Në këtë drejtim, Presidentja ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, brenda kompetencave dhe rolit të saj kushtetues për një sistem të drejtësisë të pavarur, funksional, dhe i cili siguron besimin e qytetarëve në të.” – thuhet në përfundim të njoftimit.
