Fatos Nano vlerësohet si lider liberal, vizionar e reformator
Ish-kryeministri shqiptar Fatos Nano, ka vdekur sot në moshën 73 vjeçare. Shumë mesazhe ngushëllimi kanë filluar në adresë të familjes së tij, të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe shtetit shqiptar.
Themeluesi i Partisë Socialiste, Fatos Nano është ndarë nga jeta ditën e sotme. Ish-kryeministri i Shqipërisë, prej kohësh ndodhej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ndërsa ditët e fundit, 73-vjeçarit iu vështirësua frymëmarrja.
Ai ka lënë pas bashkëshorten e tij, Xhoana Nano dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Edlirën.
Fatos Nano shërbeu si kryeministër në tranzicionin e fundit të qeverisë komuniste të 91-shit ndërsa mori drejtimin e Partisë Socialiste që në datën e themelimit, të cilën shumë vite më vonë ia dorëzoi Edi Ramës.
Bëri burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhje, por pas më shumë se tre vite në qeli, ai ia doli. Koha i dha të drejtë për një burgosje politike, shkruan gazeta tema.
Por Nano, u rikthye fuqishëm duke fituar zgjedhjet përballë kundërshtarit të kohës, Sali Berisha në vitin 1997
Fatos Nano shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1993 dhe nga 1997 deri në 2009.
Ai kreu studimet e ciklit të mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, duke u bërë më pas student i Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës.
Një ndër personalitet politike me njohjen më të mirë të shifrave dhe ekonomisë, Nano u specializua në fushën e Ekonomisë Politike.
Ish-kryeministri i Shqipërisë mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë ndërsa në vitin 2000 titullin “Profesor Doktor” po në të njëjtën fushë.
Po në vitin 2000 në Universitetin Ndërkombëtar të Milanos, Nano fitoi titullin "Doktor Honoris Causa", në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit "Doktor Honoris Causa", në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
Begaj: Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator
Përmes një postimi në Facebook, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj thotë se Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator.
“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!”, ka shkruar presidenti shqiptar.
Ali Ahmeti: Kujtimi për Fatos Nanon, do të mbetet i gjallë gjithmonë
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ngushëlluar për vdekjen e ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano.
Ai shkruan:
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër, shokut tim të orëve të vështira, Fatos Nano. Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët.
Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.
Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e e vlerësuan.
U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë
Edi Rama: Lamtumirë kryetar
Ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano, ka vdekur sot.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, shkruan: “Lamtumirë kryetar”.
Haradinaj: U prehtë në paqe Fatos Nano, mirënjohje për rolin e tij vizionar
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllimë për vdekjen e ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano.
Haradinaj shkruan:
Telegram ngushëllimi
Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano.
Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.
Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë.
U prehtë në paqe!