Escobar thirrje Kosovës e Serbisë para takimit në Ohër: Tregohuni konstruktiv
I dërguari i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë të jenë konstruktiv në takimin e Ohrit.
Në një konferencë për media në Beograd, Escobar deklaroi se propozimi evropian është një nga opsionet më të mira.
"Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha Escobar.
“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t'i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Escobar theksoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por ai përsëriti qëndrimin e SHBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.
"Kjo nuk ka të bëjë me këtë", u shpreh ai.
Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.
“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda shteteve në Kosovë dhe Serbi se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.
“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të shkaktoj një konfrontim apo ta paraqes atë si një sfidë. Fakti është se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit... do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë. Pjesa e dytë, cili model do të zbatohet. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t'u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe”, u shpreh Escobar. /REL