“Kosova ishte shqetësim i përbashkët”, Escobar dhe Ahmeti kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit - NACIONALE

“Kosova ishte shqetësim i përbashkët”, Escobar dhe Ahmeti kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dje ka vizituar Maqedoninë e Veriut, ku ka takuar krerët e këtij shteti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ky i fundit ka thënë se Kosova ka qenë nder temat kryesore e diskutimit me diplomatin amerikan.

Në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka shkruar se çështja e Kosovës ishte shqetësim i përbashkët i tyre.

Kisha kënaqësinë e veçantë të bashkëbisedoj sontë me zv. ndihmës sekretarin e shtetit Amerikan 🇺🇸 z. Gabriel Eskobar. Ndryshimet kushtetuese në vendin tonë dhe zhvillimet në Kosovë ishin temat kryesore të bisedës. Z. Eskobar shprehu mbështetje të plotë për integrimin europian të vendit i cili realizohet nëpërmjet të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa unë theksova gatishmërinë tonë të plotë për ti prirë këtij procesi”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka bërë me dije se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet pa asnjë vonës.

Sipas tij, SHBA-ja është miku më i mirë i Kosovës.

Kosova ishte shqetësim i përbashkët i joni, me ç’rast të dy vlerësuam që Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë është historike dhe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i vyer dhe i çmuar jo vetëm i Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve dhe tërë rajonit, por shqiptarët në veçanti janë mirënjohës për rolin dhe kontributin amerikan për liri, paqe dhe demokraci dhe ky vlerësim i të gjithë neve nuk lëkundët dot”, ka shkruar Ahmeti.

Escobar kërkon që Maqedonia ta vazhdojë rrugën drejt BE-së

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paraprakisht ka takuar liderët institucionalë të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ai ka thënë se SHBA-ja e mbështet Maqedoninë e Veriut që ta vazhdojë rrugën e integrimit evropian.

Sipas tij, SHBA-ja dëshiron ta shohë këtë vend të Ballkanit në BE.

Duam t’ju shohim në Bashkimin Evropian. Ju jeni anëtare e Këshillit eurotlantik, kështu që duam që të jeni sa më pranë strukturave evropiane. Më vjen mirë që ka nisur ky proces dhe shpresoj se do të vazhdojë”, ka deklaruar Escobar.

Diplomati amerikan ka vlerësuar se SHBA-ja i sheh si partner vetëm ato vende që janë të përkushtuar në rrugën e tyre euro-atlantike.

Dua të them askush këtu nuk do t’iu nënshtrohet torturave. SHBA-ja nuk bën zgjedhjen e qeverive të anëtarëve të NATO-s. Megjithatë, ne kemi pritje dhe do ta përcjell mesazhin e njëjtë sikur në gjithë rajonin se, SHBA-ja i sheh si partnerë natyralë ata që janë të përkushtuar në integrimin evropian, në NATO dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Escobar.

Gjatë kësaj vizite, diplomati amerikan ka takuar edhe presidentin maqedonas Stevo Pendarovski dhe liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

Kushte për vazhdimin e rrugës drejt BE-së, Maqedonia i ka ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj.

Pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Escobar ka thënë se shpreson që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë me procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Lajme të ngjashme