Escobar-i sot në Prishtinë, a do ta bindë Qeverinë për Asociacionin? - NACIONALE

Escobar-i sot në Prishtinë, a do ta bindë Qeverinë për Asociacionin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme do të takohen me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kjo po ndodh fiks një ditë para takimit i cili do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Këtë herë, a do ta bindë Escobar-i palën kosovare për dialogun?

Para takimit me udhëheqësit kosovarë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.

"Mendoj që një gjë e tillë është plotësisht e mundur... Shpresojmë se nuk do ta ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është që të krijojë pengesa të reja. E kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj”- tha Escobar-i gjatë konferencës për medie në Beograd.

Megjthëkëtë, Escobar-i në një intervistë për faqen e lajmeve "Telegraf.rs", Escobar-i theksoi se Kosova është e obliguar ligjërisht që ta zbatojë Asociacionin, i cili është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe e konkluzioneve të Këshillit të Evropës. Ai tha se të gjithë duan që të punojnë së bashku për zbatimin e Asociacionit dhe se pyetja e vetme është se cila do të jetë qeveria për ta zbatuar atë.

"Unë do t'ju jap një shembull. Por më lejoni të filloj këtu: këtu nuk bëhet fjalë për Kurtin. Kosova e ka nënshkruar këtë marrëveshje. Dhe Qeveria e Kosovës është e obliguar ligjërisht ta zbatojë atë. Është një detyrim ligjor ndërkombëtar ekzistues. Kështu e shohim ne. Është në marrëveshjen e Brukselit, është në këtë marrëveshje, është në konkluzionet e Këshillit të Evropës, ka dhënë politikat tona. Do të bëhet realitet. Kjo do të ndodhë. Pyetja e vetme është se cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë atë. Sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë" - ka thënë ai.

Takimi i 17 marsit i Escobar-it me Osmanin e Kurtin

Ndihmëssekretari i Shtetit i SHBA-së, Gabriel Escobar, një ditë para takimit në Ohër, do të takohet në Qeveri edhe me kryeministrin, Albin Kurti. Takimi pritet të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me fillim nga ora 11:00.

Para takimit me Kurtin, Escobar-i pritet të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani, duke filluar nga ora 09:00.

Sipas Zyrës së Presidencës, Escobar-i dhe Osmani do të mbajnë konferencë për medie duke filluar nga ora 10:00.

Ndërsa 20 minuta pas, saktësisht në orën 10:20, Escobar-i do të takohet me kryetarin e Kuvendin të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës deri tani ka refuzuar që ta formojë Asociacionin, duke argumentuar se asociacionet njëetnike e shkelin kushtetutën dhe e kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, në mesin e të cilave është edhe ajo për Asociacionin, parashihet në propozimin evropian për normalizimin e raporteve, për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar muajin e kaluar në Bruksel.

Më 18 mars, në Ohër, palët pritet që të diskutojnë për zbatimin e këtij propozimi.

Ky propozim shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme