Escobar me tonet më të rënda deri sot: “Serbët po vuajnë nga vendimi për dinarin; ShBA do ta mbajë përgjegjës Kurtin si i trajton ata” - NACIONALE

Escobar me tonet më të rënda deri sot: “Serbët po vuajnë nga vendimi për dinarin; ShBA do ta mbajë përgjegjës Kurtin si i trajton ata”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Krejt sfida në marrëdhëniet – dhe plasaritjen e tyre – mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Qeverinë e Kosovës ka të bëjë me “mënyrën se si po trajtojnë komunitetin serb”, e tha në mënyrën më eksplicite të mundshme Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.

Në gjuhë të zhveshur nga zhargoni diplomatik, zyrtar i lartë i DASh tha se mënyra (jo vendimi në vetvete) e ndalimit të dinarit ka bërë që “komuniteti serb me të vërtetë po vuajnë” dhe se nga Qeveria e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të kërkojnë llogari” që serbët e Kosovës “të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie”.

Gjer më tash cilësimin se “komuniteti serb po vuan” e kishte përdorur vetëm emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, muaj më parë në një intervistë për “RTS”; çka kishte tingëlluar si një deklaratë tejet e rëndë dhe s’ishte pritur mirë në vend si një vlerësim i pabazuar.

Escobar vizitën e tij në Manastirin e Deçanit ai e përfundoi me një prononcim për “Radio Gorazhdevcin” ku u shpreh se “kam dëgjuar tregimet e dorës së parë që njerëzit kanë rreth ndikimit nga vendimi i BQK-së”.

Është e vështirë t’i dëgjosh këto tregime dhe të mos prekesh (ndjeshmërisht). Këtu ka një komunitet që me të vërtetë po vuan. Ka njerëz që po kalojnë nëpër vështirësi të njëmendta për shkak të mungesës së opsioneve që të marrin pensionet. Unë me të vërtetë dua të punoj me qeverinë në shpresën që të gjej një zgjidhje të menjëhershme”, tha ai.

Dua që serbët ta dinë se amerikanët duan që ata të jetojnë këtu në kushte sigurie dhe dinjiteti; dhe për këtë do të vazhdojmë të punojmë. Dhe, rreth qeverisë së Kosovës: ata kanë përgjegjësi që ta jetësojnë këtë; dhe për këtë edhe do t’i mbajmë në llogaridhënie”, tha mes tjerash ai.

Të fundin që e takoi nga krejt vizita e tij ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – për të cilin Escobar u shpreh se jo vetëm ShBA, por edhe i mbarë komuniteti trans-atlantik ka problem në komunikim.

Çështjen e ndalimit rigjid të dinarit – pa u ofruar opsione, alternativa, mundësi përshtatje, etj – Escobar e quajti “çështje emergjente humanitare...që duhet adresuar menjëherë” dhe se për këtë gjë i ka bërë “disa propozime” Kurtit; propozime këto që, sipas tij, Kurti “i njohu”.

Ia bëra të qartë se askush nuk mund të dëgjojë tregimet nga disa prej anëtarëve më të cënueshëm të këtij komuniteti që janë njerëzit me aftësi të kufizuara, studentët, nuk mund të mos prekesh (ndjeshmërisht) nga tregimet e tyre se si ky vendim i ka prekur ata. Kryeministri e njhu këtë dhe premtoi se do të shikojë disa prej propozimeve që ia bëra sot”, tha ai.

Marrëdhëniet Kosovë-ShBA, tha ai, janë të sfiduara – tha ai.

Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të marten”, shtoi ai.

Kurti u lajmërua fare shkurt në llogarinë e tij në “X” ku nuk dha asnjë shenjë të ketë pranuar apo shqyrtuar ndonjë propozim nga Gabriel Escobar, për çka ky i fundit tha se do të ketë më shumë të thotë “nesër”.

Ishte mirë të takoja Gabriel Escobar-in. E falënderova për mbështetjen e ShBA-së dhe i theksova nevojën për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin në Banjskë. E informova poashtu për hapat që qeveria jonë ka ndërmarrë për të mbështetur periudhën kalimtare të regllores së BQK-së dhe gatishmërinë e çështjeve në vazhdim”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “X”.

Lajme të ngjashme