Erdogani e pret Dodikun në kongresin e partisë së tij në Ankara
Sot në Ankara është mbajtur kongresi i katërt i jashtëzakonshëm i partisë “Drejtësi dhe Zhvillim”, që udhëhiqet nga Rexhep Tajjip Erdogan, president aktual i Turqisë.
Në këtë kongres, po merr pjesë edhe një mysafir, që në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ka një imazh jo aq të mirë.
Mirollad Dodik, lider nacionalist i Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, është mysafir i Erdoganit. Madje faqja zyrtare e Presidencës së Turqisë në Facebook, ka njoftuar për mikëpritjen që Erdogani i ka bërë Dodikut dhe Zheljka Cvijanoviqin, përfaqësuese e serbëve në Presidencën e Bosnjes.
“Presidenti ynë Rexhep Tajjip Erdoğan priti Zheljka Cvijanoviqin, anëtarja serbe e Këshillit Presidencial të Bosnjë-Hercegovinës, e cila mori pjesë në Kongresin e 4-të të jashtëzakonshëm të partisë AK dhe Milorad Dodikun, Presidentin e Republika Srpska (RS), një nga dy entitetet në Bosnje dhe Hercegovinë, në Pallatin Sportiv të Ankarasë.” – shkroi Presidenca e Turqisë.
Kujtojmë që Cvijanoviqi e kishte bllokuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Bosnjës, që ishte votuar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Më saktësisht, në një seancë të Presidencës trepalëshe, ajo e kishte konfirmuar se do të iniconte një veto në lidhje me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me karta identiteti dhe pa viza në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe udhëtimi pa viza mes Bosnjës dhe Kosovës.
“Në parim jam për lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, por në këto rrethana kemi një përshkallëzim në Kosovë dhe Prishtina tani nuk mund të jetë pjesë e këtij aranzhimi. Ndjej përgjegjësi morale ndaj popullit serb në Kosovë” - deklaroi Cvijanoviq, transmeton HMS.
