Emocionet e fushatës: Krejt partitë e synojnë fitoren më 9 shkurt, vetëm AAK - Nisma thotë se do të jetë befasi e zgjedhjeve
Derisa zgjedhjet e 9 shkurtit po afrohen, partitë politike janë rrëmbyer nga emocionet e fushatës zgjedhore. Ndonëse sondazhet tregojnë një diferencë të VV-së me partitë tjera, zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së janë shprehur të bindur se partitë e tyre do të jenë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ndryshe nga ta, përfaqësuesit e VV-së mendojnë se më 9 shkurt gara do të jetë për vendin e dytë. Ndërsa, koalicionin parazgjedhor AAK - Nisma ka premtuar se do të jetë befasi e këtyre zgjedhjeve.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk dëshiron të dëgjojë për rezultatet që japin sondazhet.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, sot ka shpërndarë një video nga tubimi i djeshëm në Lipjan, ku ka mbajtur një fjalim para simpatizantëve partiak.
Para përkrahësve të tij, ai është shprehur i bindit për fitoren e LDK-së.
“LDK është ngritur në këmbë tashmë! Dhe siç e dini ju mirë kur LDK-ja ngrihet në këmbë, kur elektorati rugovist bëhet një s`ka asgjë që na ndalë, s’ka asgjë që na ndanë. Jemi të pandalshëm. Jemi fitues. Jemi kampion dhe ne sikurse jeni ju”, ka thënë Abdixhiku në videon, të cilën e ka shpërndarë në profilin e tij në “Facebook”.
Të njëjtën gjë e mendon edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Haziri ka thënë se kjo parti i ka bërë të gjitha përgatitjet për fitore.
“Ne jemi në këtë garë me i fitu zgjedhjet. Kemi me punu, me dëshmu, me argumentu, taku çdo njeri në Kosovë për me arritë këtë qëllim. Kemi punuar me politika të qarta, jemi politika më e përgatitur më e strukturuar, me programin politik të saj. Kemi përfundu 70,80 për qind listën e deputeteve. Krejt të tjerët e kanë qëllim me fitu LDK-në, neve na cilësojnë rivalin kryesor. Kjo garë shpresoj shumë që fjalori politik mos me degradu, që manipulimi politik mos me qenë mjeti kryesor”, ka thënë Haziri.
Kurse, Partia Demokratike e Kosovës, javën e kaluar ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është zotuar në fitoren e saj më 9 shkurti.
Në komunikatën e kësaj partia, kryetari i Memli Krasniqi ka thënë se nisur nga situata e vështirë në të cilën gjenden Kosova PDK-ja do të mobilizohet për t’i dhënë vendit një Qeveri të re, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme.
“Kryetari Krasniqi i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë me të gjitha përgatitjet që po bëhen në mobilizimin e të gjitha strukturave të partisë, brenda dhe jashtë Kosovës. Kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar anëtarët e Kryesisë me punën që është bërë në përpilimin e programit dhe ofertës së PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit. Hamza ka thënë se PDK do të ketë programin më të mirë dhe më profesional - pikërisht atë për të cilin kanë nevojë sot vendi dhe qytetarët. Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës i kanë dhënë mbështetjen e plotë Kandidatit për Kryeministër, Bedri Hamza, në raport me punën dhe programin e tij qeverisës”, është thënë në komunikatën e PDK-së, duke i dhënë mbështetje kandidatit të tyre për kryeministër.
“Partia Demokratike e Kosovës, me 9 shkurt të vitit 2025, në zgjedhjet e reja parlamentare në vend, përmes kandidatit të saj Bedri Hamza, ofertës së tij programore dhe listës së kandidatëve për deputetë, do t’i jap vendit një Qeveri të re që rikthen shtetin në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, është thënë në komunikatë.
Kurse, përfaqësuesit e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi Intelektual – e – 30 kanë premtuar se do të jenë befasia e këtyre zgjedhjeve.
Kryetar i Forumit të Intelektualëve, Artan Nimani, ka thënë se ky koalicion është gati për zgjedhje.
“Ky koalicion do të jetë befasia e zgjedhjeve sepse përgaditjet tona janë aq intensve; numri i njerëzve dhe lista zgjedhore do të jenë ajo përgjigja reale të cilin e presin qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne jemi në fazën e konsolidimit final të programit zgjedhor, i cili ka dalë pas debatit që kemi pasur në dhjetëra tryeza poltike organizime me grupe të interesit dhe besoj që do të jetë një prej programeve që realisht e meritojnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Nimani.
Kurse, përfaqësuesit e pushtetit kanë ironizuar me pretendimet e opozitës.
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqonoci, ka thënë se më 9 shkurt LDK-ja dhe PDK-ja do të garojnë për vendin e dytë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se partia e tij do të fitojë bindshëm.
“Më 9 shkurt, qytetarët do të tregojnë edhe një herë mbështetjen e tyre për Lëvizjen Vetëvendosje. Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është e pashmangshme, dhe rezultatet do të flasin vetë. Me mbi 50% të votave, Vetëvendosje do të sigurojë mbështetjen e shumicës, duke vazhduar rrugën e ndryshimeve pozitive për vendin tonë. Lufta për vendin e dytë dhe për kalimin e pragut do të jetë sfiduese për opozitën”, ka shkruar Bajqinovci.