Eksperti serb: Vuçiqi t'i vë sanksione Rusisë; Serbia s'duhet të bëhet bashkëfajtore për agresionin brutal në Ukrainë - NACIONALE

Eksperti serb: Vuçiqi t'i vë sanksione Rusisë; Serbia s'duhet të bëhet bashkëfajtore për agresionin brutal në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Orhan Dragash, themelues dhe drejtor i Institutit për Siguri Ndërkombëtare, ka shkruar se Serbia nuk duhet të bëhet bashkëfajtore e Putinit për agresionin brutal në Ukrainë.

Dragash pyet se a është e qëndrueshme një politikë e cila nuk i vë sanksione Rusisë në kohën kur ky vend është përjashtuar nga pjesa tjetër e Evropës, Perëndimit dhe civilizimit?

“Përgjigja është jo, dhe vetëm një pyetje meriton shqyrton: kur, dhe jo nëse, ndryshimi domethënës do të ndodhë?” – shkruan ai.

Dragash thotë se Vuçiqi nuk ekzagjëron kur flet për përqindjen e lartë të serbëve që kanë simpati për Rusinë, por shprehet se kjo nuk duhet të shërbejë si parametër në bazë të të cilit një lider të marrë vendime për qytetarët e tij.

“Partnerët perëndimorë po e humbasin durimin me Serbinë shkaku i ngurrimit të saj për t’u rreshtuar me përgjigjen e fortë evropiane ndaj brutalitetit të Moskës dhe krimeve më mizore prej Luftës së Dytë Botërore.” – shkruan tutje ai.

Eksperti serb tutje shton se ekonomia serbe nuk do të vuante nëse do t’i vendoste sanksione Rusisë.

“... (do të humbiste) më pak se një miliardë dollarë në eksporte... kjo (shumë) është më pak se eksportet e Serbisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gati po aq sa eksportet në Kosovë, të cilën as që e njeh si shtet.” – argumenton ai.

Më pas, z. Dragash përmend se si Rusia ka pasur sjellje destruktive ndaj Rusisë për vite me radhë, duke e trajtuar si “provincë të sajën”. Për më shumë, aty përmendet se si Rusia edhe i ka vënë sanksione ish-Jugosllavisë gjatë viteve ’90.

“Pas invazionit brutal të sovranitetit të Ukrainës, Rusia nuk mund të jetë zgjedhje sepse mbështetje për krimet nuk mund të jetë zgjedhje për asnjë komb apo lidership. Sot, të jesh mik apo bashkëpunëtor i Rusisë së Putinit nënkupton të jesh bashkëfajtor. Nuk është çështje e afeksionit gjeopolitik për njërën palë por çështje e civilizimit,” – shkruan ai.

Ai thotë se Vuçiqi ka një shans historik për ta vendosur vendin e tij në familjen e kombeve më të avancuara.

“Ai nuk duhet të mendojë për opinionin publik sepse një udhëheqës i vërtetë udhëheq popullin, nuk e ndjek atë.” – shkruan z. Dragash.

Kujtojmë se pak ditë më parë rreth 60 deputetë, kongresmenë, senatorë të vendeve të ndryshme pro-perëndimore kanë kërkuar me anë të një letre që ShBA-ja dhe BE-ja të kenë qasje më të balancuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo letër ishte nënshkruar edhe nga kryesuesi i komitetit për Politikë të Jashtme në parlamentin e Ukrainës, Oleksandr Merezhko. Ky nënshkrim bëri bujë të madhe duke rritur zërat se qëndrimi i Ukrainës në raport me Kosovën mund të ndryshonte.

Opinioni i plotë i z. Dragash botuar në Euractiv.

Lajme të ngjashme