Eksperti që monitoron kritikat e mediave, ministria e Nagavcit: Na falni, u përdorën terma joadekuat - NACIONALE

Eksperti që monitoron kritikat e mediave, ministria e Nagavcit: Na falni, u përdorën terma joadekuat

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së premte u bë me dije se Ministria e Arsimit, e drejtuar nga Arbërie Nagavci, ka hapur tendet për një ekspert që do të monitorojë “kritikat e mediave” ndaj këtij dikasteri.

MAShT ka dalë me një sqarim, duke thënë se tenderi i hapur më datë 23 maj 2024, kërkon një kontraktor individual për monitorimin e mediave.

“Divizioni për Komunikim Publik (DKP) ka hapur tender me datë 23.05.2024 për shërbime të veçanta, respektivisht për kontraktor individual për monitorimin e media, qasje në dokumente publike dhe financiare me qëllim rritjen e transparencës me publikun, por edhe informimin e stafit menaxherial dhe politik lidhur me lajmet që kanë të bëjnë me arsimin.” – thuhet në një komunikatë.

Tutje, ministria e Nagavcit ka kërkuar falje për lëshimin që ka ndodhur me “terma joadekuat”, ky ku ekspertit i kërkohej të monitorojë lajmet që “atakojnë” institucionin.

“Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, DKP ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës.” – thuhet tutje.

“Prandaj, duke ju kërkuar falje, kërkojmë mirëkuptimin e mediave dhe qytetarëve për këtë lëshim të paqëllimshëm.” – thuhet në fund.

Çka shkruante në dokument?

Ndërkohë, sipas tenderit, që u publikua nga pjesëtarë të shoqërisë civile, disa nga detyra që përshkruhen në të, janë si vijon:

-Është përgjegjës për monitorimin dhe analizimin e paraqitje së Minstrisë dhe titullarit në media, monitorimin e lajmeve të cilat atakojnë institucionin dhe ndërlidhen me proceset në arsim;

- Përgatit dhe shpërndan te stafi drejtues raportin ditor të monitorimit të mediave;

-pranon, regjistron dhe bënë trajtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente publike

Albulena Nrecaj nga INPO, ishte ndër të parat që reagoi ashpër për tenderin që synon ekspertin për monitorim të mediave që kritikojnë ministren Nagavci.

“Kjo eshte shperdorim i parase publike.

Eshte keqperdorim e procedures se prokurimit per sherbime te vecanta.

Eshte shperdorim i detyres zyrtare.” – shkroi ajo në një postim në Facebook.

Lajme të ngjashme