Eksperimenti i radhes me Serbinë e madhe, kësaj radhe nga ShBA dhe BE?
SHBA dhe Bashkimi Europian kanë marrë përsipër ta realizojnë de facto projektin e Serbisë së Madhe, kësaj here brenda “Ballkanit të Hapur”, pra si një projekt i negocuar dhe paqesor, nga i cili llogaritet se Serbia do të mund të denacifikohej e të deputinizohej.
Shkruan: Milazim KRASNIQI
Ndryshimi i kursit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke e shndërruar Serbinë në palë të favorizuar në turbulencat ballkanike është evident dhe tashmë po prodhon ndryshime drastike edhe në terren. Kësisoj, Mali i Zi tashmë është përfshirë në projektin e “botës serbe”, si me Marrëveshjen Themeltare të shtetit malazez me Kishën Ortodokse Serbe, ashtu edhe me humbjen e Millo Gjukanoviqit në zgjedhjet peesidenciale, nga kandidati i bllokut serb dhe Kishës Serbe. Nëse blloku serb i fiton edhe zgjedhjet parlamentare që tashmë janë shpall, atëherë finalizohet futja e Malit në Zi në “botën serbe”, përkatësisht rifillimi i procesit të dirigjimit të politikës së Podgoricës nga Beogradi. Synimi strategjik i SHBA dhe BE-së është që rolin e xhandarit në rajon ta ketë prapë Beogradi, por tash një “Beograd evopian”, pra, i koordinuar me Perëndimin.
Abazoviqi si brend i “botës serbe” edhe në Kosovë
Pse ndodhi ky ndryshim në rastin e Malit të Zi? Ndërmjet rrezikut nga një konflikt civil në Malin e Zi dhe një Mali të Zi të mbikëqyrur nga Serbia, por nga një Serbi e afruar me Perëndimin, Perëndimi ka zgjidhur të përkrahë mbikëqyrjen e Serbisë mbi Malin e Zi. Nuk është pa simbolikë dhe pa peshë konkrete politike e psikologjike edhe fakti që ky proces është realizuar nga një shqiptar, në krye të qeverisë së Malit të Zi, nga Dritan Abazoviqi. Perëndimi e nxori Malin e Zi nga pat-pozicioni, ku rreziku i konfliktit civil ishte real, duke instaluar në krye të qeverisë malazeze Dritan Abazoviqin. Abazoviqi firmosi Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën nuk guxoi ta firmoste as ish kryeministri proserb, Krivokapiqi. Abazoviqi e firmosi dhe e legalizoi edhe rolin politik nacionalist të Kishës Serbe në Malin e Zi, të riserbizuar. Abazoviqi e ndihmoi me sa sa mundi edhe fitoren e bllokut serb në zgjedhjet presidenciale, ku u mposht Millo Gjukanoviqi. Abazoviqi vazhdon të jetë për një kohë të gjatë në krye të një qeverie teknike, jo vetëm i patrazuar nga askush, po i ndihmuar nga të katër anët, veçmas nga SHBA, BE dhe nga Serbia.
Mua më duket se në stilin e karambollit që vlen në lojën e biliardos, futja e Malit të Zi në projektin e “botës serbe”, me angazhimin dhe kontributin kritik të shqiptarëve, do të ketë efekte politike po edhe psikologjike për zhvillimet e radhës në Kosovë. Pse? Vizita e Abazoviqit në Kosovë në mesin e prillit 2023, ku ai manifestoi një sjellje arrogante dhe pothuajse përçmuese ndaj Vjosa Osmanit dhe Albi Kurtit, është shenjë e qartë se si do të rrjedhë procesi i futjes së Kosovës në “botën serbe.” Vizita e Abazoviqit në Kosovë ishte e organizar nga një subjekt ekonomik, ndërsa pritja që iu bë nga presidentja Vjosa Osmani dhe nga kryeministri Albin Kurti, atyre thjesht iu imponua. Jo vetëm që iu imponua ta prisnin e sajdisnin, po ata as nuk kanë guxuar ta hapin fare temën e demarkacionit në takimet me të! Për opinionin tim, kjo tregon se goditja e radhës në favor e projektit serb për ridizajnimin e “Serbisë së Madhe” nën eufemizmin “bota serbe”,, do të realizohet kundër Kosovës, duke e maskuar a zbutur edhe me influencën dhe prezencën e fenomenit Abazoviq. Sigurisht edhe më shumë me rolin e Edi Ramës, por roli i Ramës do të forcohet në projektin që pason, në “Ballkanin e Hapur.”
Ahtisaristani po kthehet në Albinistan
Para se të përdoren edhe me efekte psikologjike esencialisht antikombëtare këta dy figurantë të politikave të Uashingtonit e të Brukselit në projektin e afrimit të Serbisë me Perëndimin, rruga është shtruar me Planin franko-gjerman dhe me Planin e Zbatimit. Plani franko-gjerman i akoduar në Bruksel dhe Plani u Zbatimit i akorduar në Ohër, u jep serbëve të Kosovës një status të ri brenda Kosovës. Pazari është evident: me këto aranzhmane të imponuara me presione kundër qeverisë së Kosovës, serbëve në Kosovë u janë dhënë katër llojet ekzistuese të autonomisë, me çka ata realisht bëhen subjekt ndërkombëtar, për të participuar pastaj legalisht në “botën serbe.” Me këto marrëveshje, serbëve fillimisht u është dhuruar autonomi territoriale-politike, me Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicën.) Përtej kësaj u është dhënë edhe autonomi funksionale, me formalizimin e Kishës Ortodkse Serbe me një Marrëveshje Themeltare, me siguri të ngjashme më ate që i është imponuar Malit të Zi, nëse jo edhe më shumë, me eksteritorialitetin, mbase edhe me kthimin eventual në selisë së Patriarkanës në Pejë. Serbëve me Planin franko-gjerman u është cimentuar edhe autonomia kulturore, duke e lënë të lidhur arsimin e kulturën e serbëve të Kosovës me Beogradin. Serbëve në Kosovë u është dhënë si ofertë e re edhe autonomia personale (VETË –MENAXHIMI.) pra një status i privilegjuar në bazë të përkatësisë nacionale. Sikundër po shihet, në javët dhe muajt në vijim, pritet të operacionalizohet Plani franko-gjerman dhe Plani i Zbatimit, me çka Kosova e Ahtisarit do të pësojë ndryshime esenciale. Kosova e Ahtisarit (Ahtisaristani) ka rrezik të dizajnohet ngjashëm me federatën kroato-boshnjake, natyrisht pa e proklamuar si të atillë. Qëllimi i fshehtë i këtij ridizajnimi ka të bëjë edhe me qëllimin që ka udhëhequr strategët e Marrëveshjes së Dejtonit: të mbajë të bllokuar me një element tjetër qëllimet eventuale të muslimanëve në këto dy shtete. Bile edhe formimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe e ka atë funksion, sepse ai formacion tumoroz ndërpret lidhjet e shqiptarëve me Saxhakun e me Bosnjen. Pra, bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe e ndërpret të ashtuquajturën “transferzalja e gjelbërt”, e cila është antkh i qarqeve ekstremiste islamofobike në Evropë. Përveç paragjykimeve të vjetra që kanë shumë qarqe evropiane ndaj Islamit ndër shqiptarë, këtu është ndërfutur edhe praktika e keqpërdorimit të Islamit politik nga Albin Kurti në dy palë zgjedhjet e fundit. Aleancat e fshehta të LVV me disa nga krerët fetarë, pas asaj traume me shkuarjen e shumë të rinjve si mercenarë në Siri e në Irak, si duket ua ka mbushur kupën. Dyshimi në “qëllimet e fshehta të muslimanëve shqiptarë” tashmë janë shndërruar në politikë të Perëndimit për ta rifutur Kosovën nën kontroll më rigoroz. Por, nën kontroll të orekstruar ndërmjet Perëndimit dhe Serbisë. Kjo Kosovë e rifutur nën kontroll të tillë, me ndarjen e sferave të interesit pak a shumë siç ishte ndarja e interesave dikur në Jalltë, (30-70), më nuk mund të quhet Kosova ahtisariane ose Ahtisaristan. Kjo po modelohet si Kosovë albiniane, ose Albinistan. Këtë ndryshim kursi të Perëndimit e kanë provokuar lojërat me Islamin politik në njërën anë, si dhe qëndrimi i maskuar antiamerikan i LVV, në anën tjetër.
Pas albinizimit të Kosovës përkatësisht lidhjes së saj me disa fije të forta me “botën serbe”, në radhë do të jetë Bosnja e Hercegovina, për një ridizajnim të saj, po brenda projektit të “botës serbe.” Gjasat janë që nuk do të lejohet shkëputja e Republika Serpska, por fuqizimi i saj brenda shtetit të Bosnjes, tashmë si subjekt i moderuar e properëndimor, në linjë me Beogradin. Një orientim i atillë do të ishte me shumë interes për ta lehtësuar anëtarësimnin e BeH në NATO.
Ballkani i Hapur si “Serbi e Madhe”por properëndimore
Paralelisht me këto akomodime të interesave serbe në Malin e Zi, në Kosovë e në BeH, po fuqizohet projekti “Ballkani i Hapur”, ku shumë më me marifet mund të kontrabandohet zgjidhja e çështjes serbe brenda projektit të “botës serbe.” Serbia e Madhe tashmë ka kaluar si projekt në duart e Uashingtonit e të Brukselit, demek si projekt për një Serbi evropiane, të integruar në Bashkimin Europian e edhe në partneritet strategjik me NATO-n. Një Serbie të konceptuar si europiane dhe miqësore ndaj NATO-s, po i jipen favore të cilat para disa vitesh kanë qenë të paimagjinueshme. Po pse? Nëse na interesojnë shkaqet e këtij ndryshimi strategjik, atëherë mund të përmendim dy prej tyre: e para, përpjekja e Perëndimit për ta shkëputur Serbinë nga influenca ruse e për ta mbyll disi vrimën e zezë gjeopolitike që paraqet Serbia rusofile në Ballkanin Perëndimor. Fakti që Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk i ka vendsour sanksione Rusisë, bashkë me ekzistencën e Qendres Humanitare ruso-serbe në Nish dhe me varësinë e madhe të Serbisë nga gazi rus, paraqet rrezik për NATO-n. Serbia gjendet në zemër të shteteve të Aleancës Veriatlantike dhe ka rrezik se mund të përdoret si bazë nga Rusia si për spiunim nga Qendra Ruso-Serbe e Nishit ashtu edhe për aksione destabilizuese në shtete e NATO-s me anën e mercenarëve rusë që mund ta përdorin si bazë Serbinë. (Nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, në Serbi kanë marrë strehim 200.000 rusë. Kush mund të garantojë që në mesin e tyre nuk ka terrorristë të Putinit?) Nëse ashpërsimet në relacionin Rusi-NATO përshkallëzohen, kjo e rritë urgjencën e shkëputjes së Serbisë nga influenca ruse. Shkëputja mund të bëhet duke i dhënë favoret, që tashmë po i jipen bujarisht. E dyta, disa nga shtete ballkaniko-perëndimore, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova kanë mbetur shtete të dobëta e me tendenca që të shndërrohen në shtete të dështuara, nëse nuk menaxhohet politika destabilizuese e Serbisë kundër tyre. Rrjedhimisht është kalkuluar se një Serbi e afruar me Perëndimin mund të zbutet më lehtë dhe të menaxhohet më lehtë politika e saj destabilizuese ndaj shteteve të dobëta. Natyrisht jo pa një çmim. SHBA dhe Bashkimi Europian kanë marrë përsipër ta realizojnë de facto projektin e Serbisë së Madhe, kësaj here brenda “Ballkanit të Hapur”, pra si një projekt i negocuar dhe paqesor, nga i cili Serbia në fund llogaritet se Serbia do të mund të denacifikohej e të deputinizohej.
A është projekt i mundshëm europianizimi dhe atlantizimi i Serbisë? Se a është projekt i mundshëm mund të na jep leksion përvoja se si e kanë trajtuar evropianët çështjen serbe dhe çka kanë prodhuar ato projekte. 1. Në sfondin e luftërave ballkanike, nga Konferenca e Londrës, u lejua krijimi i Serbisë së Madhe, ndonëse e krijuar me gjenocid. 2. Edhe pse Serbia e shkaktoi Luftën e Parë Botërore, shkaku i atentatit në Sarajevë, që ishte organizuar nga shërbimet sekrete të Serbisë, Serbia prapë u shpërblye, në vend se të ndëshkohej për kasaphanën që provokoi. 3. Mbretërisë SKS iu lejua politika e aneksimit dhe e bashkimit të dhunshëm ndaj Malit të Zi, Kroacisë, Vojvodinës, Sllovenisë, Kosovës dhe “Serbisë Jugore” (Maqedonisë.) 4. Jugosllavinë e AVNOJ-it e bënë britanikët së bashku me sovjetikët. Karakteri i panatyrshëm i saj u pa menjëherë pas mbarimit të luftës, duke filluar me krizën e Triestës, me konfliktin me Stalinin, me rolin në të ashtuquajturën lëvizje e mosinkuadrimit (ku herë i shërbente Lindjes e herë Perëndimit!) e deri të shpërbërja me një konflikt të përgjakshëm. 5. Jugosllavia e Zhablakut (1991) ishte krijesë e kriminelit Slobodan Millosheviqit, por prapë u njoh. 6. Serbia e sotme, së cilës i është pranuar kontinuiteti me Jugosllavinë, ende e mban në preambulën e Kushtetutës së vet, Kosovën, ndonëse Kosova ka proklamuar pavarësinë në vitin 2008.
Duke lejuar gjithë ato eksperimente ne Serbinë, Perëndimi e ka lejuar gjenocidin. Prapë po e ndjek të njëjtën skemë. Prapë do të përfundojë në një katastrofë. Pyetja një milion dollarëshe është: a mos Perëndimi po e programon katastrofën e radhës në Ballkan, që të jetë e gatshme për eksplodim pas mbylljes së luftës në Ukrainë? Nëse veprimet që po bëhen mund të lexohen si sinjale, kjo është e mundshme, sepse të gjitha eksperimentet e deriatshme me Serbinë e me Jugosllavinë atë përfundim e kanë pasur./Shenja/