EKSKLUZIVE: Brenda ditës publikohet Draft-Statuti gjerman i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe - NACIONALE

EKSKLUZIVE: Brenda ditës publikohet Draft-Statuti gjerman i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale ka siguruar një Draft-Statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të përgatitur nga ekspertët gjermanë të lidhur me Qeverinë Federale të Gjermanisë. Çka do të lexojmë për të?

Redaksia e Gazetës Nacionale është duke përgatitur artikullin fillestar me përmbajtjen e plotë të Draft-Statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që për autorë ka ekspertë gjermanë, dhe i cili në 19 faqet e tij përmban 17 nene gjithsej.

Asociacioni për kohë të gjatë kishte qenë mosmarrëveshja kyçe mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Kosovës dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Ai kishte diktuar rrjedhën e dialogut, por edhe ishte bërë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht të obligueshme.

Marrëveshja e nënshkruar mbi Elementet Kyçe të Parimeve të Përgjithshme i ishte nënshtruar një ‘testi’ nga Gjykata Kushtetuese që kishte nxjerrë një Aktgjykim që prodhoi shumë interpretime të ndryshme politike.

Kosovës i është kërkuar vazhdimisht që të hartojë një propozim për Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe i cili më pas mund të diskutohej edhe në Bruksel. Një iniciativë të tillë e kishte ndërmarrë vetëm ish kryeministri Isa Mustafa, por jo edhe kryeministrat pasues, Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti e Albin Kurti.

Ky i fundit kishte qenë më kritiku ndaj Parimeve të Përgjithshme të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duke pretenduar se ajo fitonte kompetenca ekzekutive që efektivisht do ta ndanin Kosovën në baza etnike.

Kurti kishte pretenduar se Marrëveshja e vitit 2015 “nuk e kishte kaluar “testin e Gjykatës Kushtetuese” dhe se ajo ishte “çmontuar” plotësisht prej saj.

Draft-Statuti i ekspertëve gjermanë mund të shihet si përgjigje ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, por njëkohshëm edhe përgjigje ndaj kërkesave të Republikës së Serbisë për respektim të Parimeve të Përgjithshme.

A do të ketë kompetenca ekzekutive apo jo Asociacioni sipas Draft-Statutit të ekspertëve gjermanë?

Cilat janë adresimet që i bëhen vërejtjeve të AktGjykimit të Gjykatës Kushtetuese?

Si parashihet të ushtrojë veprimtarinë e saj ky Asociacion?

Këto dhe shumë pyetje tjera do të marrin përgjigje pas publikimit të Draft-Statutit të plotë të ekspertëve gjermanë.

Lajme të ngjashme