Ekskluzive: Blerim Isufaj i pari në listë për kryeprokuror, këto janë pikët që mori në intervistë - NACIONALE

Ekskluzive: Blerim Isufaj i pari në listë për kryeprokuror, këto janë pikët që mori në intervistë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës Këshilli Prokurorial i Kosovës ka intervistuar kandidatët për kryeprokuror. E pak orë pas intervistimit, KPK ka publikuar listën e plotë të rezultateve të kandidatëve.

I pari në listën e publikuar është Blerim Isufaj, të cilin Gazeta Nacionale e kishte vlerësuar si favorit për të zëvendësuar kryeprokurorin në ikje, Aleksandër Lumezi.

I dyti është Shqipdon Fazliu, ndërsa pastij janë radhitur Kujtim Munishi, Armend Hamiti dhe Lulzim Sulejmani.

Gazeta Nacionale ka siguruar ekskluzivisht pikët për secilin nga kandidatët që i hynë garës për kryeprokuror.

Blerim Isufaj është vlerësuar me 98 pikë, ndërsa pas tij radhiten Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë. E më së paku pikë në këtë garë mori Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Në bazë të Rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, vetëm emri i Blerim Isufajt do të dërgohet për votim në KPK. Kjo pasi dallimi ndërmjet tij dhe kandidatit të dytë është më shumë se tre përqind të poentimit.

Pas fazës së ankesave që kanë kandidatët, emri i Isufajt do të shkojë për votim në KPK. E në rast se i njëjti merr dritën e gjelbër, emri i tij do të shkojë tek presidentja Vjosa Osmani për dekretim.

Gjatë ditëve të fundit, Gazeta Nacionale ka raportuar për biografitë e të gjithë kandidatëve duke sqaruar të kaluarën e tyre në hollësi.

Për Blerim Isufajn, që doli i pari në intervistë, ka shumë akuza, por edhe shumë avancime. Kështu mund të përshkruhet në fakt në pak fjalë karriera e Isufajt, që tashmë është favorit për të qenë kryeprokuror i shtetit.

Nga viti 2008 deri më 2010, ishte këshilltar i ministres së drejtësisë, Nekibe Kelmendi, që vinte nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pak javë pasi e la këtë pozitë, Blerim Isufaj u emëruar prokuror në Prishtinë, e cila aso kohe udhëhiqej nga Aleksandër Lumezi. Në vitin 2013, Isufaj ngritet në detyrë në Prokurorinë Speciale, e në vitin 2015 bëhet edhe anëtar i Këshillit Prokurorial. Një vit pas, ai ngritet sërish në detyrë duke marrë detyrën e Lumezit si kryesues i KPK-së. Në vitin 2020, anëtarët e Këshillit Prokurorial i dhanë bekimin Isufajt, që të bëhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Kjo është një pjesë nga profili e biografia që Nacionale e shkroi ditë më parë për lexuesit e saj.

Kujtojmë që fillimisht ishin gjashtë, e më pas mbetën pesë. Kandidatët që janë në garë për pozitën e Kryeprokurorit sot do të intervistohen nga komisioni vlerësues i krijuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Këtë pozitë e synojnë: Kujtim Munishi, Blerim Isufaj, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani e Shqipdon Fazliu.

Kurse, kandidati Arben Ismajli u tërhoq nga gara, pasi Agjencia kundër Korrupsionit dha opinion se kandidimi i tij përbën shkelje të Ligjit për Konfliktin e Interesit.

Lajme të ngjashme