Ekskluzive: Agjencia për Privatësi e "kërcënon" KQZ-në me “pasoja financiare”, nëse e lë në fuqi “matrikulimin e votuesve”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrezikon të përballet me pasoja financiare nëse vazhdon ta mbajë në fuqi vendimin që në ditën e votimit t’i matrikulojë votuesit, apo t’ia bëjë me shenjë dalluese me marker në gishtrërinjë.
Ky është paralajmërimi i fundit që Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) që ia ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas vendimit të marrë me 21 qershor 2024. Asokohe, KQZ kishte marrë vendim që spreji që është përdorur deri më tani për shënjim të votuesve që marrin pjesë në procesin e votimit të zëvendësohet me marker, por kjo nuk i ka pëlqyer aspak AIP. Sipas këtij institucioni, ngjyra që do të vendoset në gishtërinjë cenon të drejtat e njeriut.
Gazeta Nacionale ka siguruar shkresën që është dërguar në adresë të KQZ-së, por që vazhdon të mos marrë përgjigje.
“Në bazë të dispozitave ligjore të LMDhP-së në të cilën parashihet masat ndëshkuese, KQZ-ja rrezikon të përballet me pasoja financiare për shkak të vendimeve negative që mund të pasojnë nga mosrespektimi i ligjit. Një gjë e tillë jo vetëm që do të dëmtojë buxhetin e institucionit tuaj, por njëkohësisht do të ndikojë negativisht edhe në buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Siç jeni të vetëdijshëm, vendimet për dëme financiare të cilat rrjedhin nga vendimet e gjykatave civile janë të ekzekutueshme dhe krijojnë detyrime të drejtpërdrejta financiare për institucionet shtetërore”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas AIP “përdorimi i ngjyrës matrikuluese për identifikimin e votuesve mund të paraqesë një ndërhyrje të paautorizuar në të drejtat e tyre për privatësi”.
“Në kuadër të këtyre shqetësimeve, ju rikujtojmë se mosrespektimi i rekomandimeve tona do të pasohet me masa ligjore, përfshirë vendosjen e gjobave për çdo ankesë të parashtruar nga qytetarët lidhur me këtë praktikë. Çdo vendim që Agjencia do të marrë mbi një ankesë, do t’i japë qytetarit të drejtën të hapë padi civile në gjykatë për kompenzim të dëmit të përcaktuar në nenin 56 të LMDhP-së”, thuhet në paralajmërimin e AIP-it.
Në fund, kjo Agjenci i ka kërkuar KQZ-së që të rishikojë praktikat aktuale dhe të veprojë në përputhje me ekomandimet që i kanë dhënë.
“Agjencia ju inkurajon të rishikoni praktikat aktuale dhe të veproni në përputhje me rekomandimet e dhëna, duke siguruar që çdo veprim i mëtejshëm të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo jo vetëm që do të mbrojë të drejtat e qytetarëve, por gjithashtu do të shmangë rreziqet e panevojshme për KQZ-në dhe për financat publike”.
Institucioni i zgjedhjeve pritet të mblidhet të hënën dhe nuk dihet nëse në rend dite është planifikuar të trajtohet paralajmërimi i kësaj Agjencie.
Gazeta Nacionale kishte raportuar më parë për vendimin e KQZ-së dhe kundërshtimin që kishte ngjallur tek njohësisht e Kushtetutës dhe të zgjedhjeve.