Edukata seksuale: Nagavci e kishte përgëzuar punën për doracakët që tash MASHTI i quan “joobligativë” - NACIONALE

Edukata seksuale: Nagavci e kishte përgëzuar punën për doracakët që tash MASHTI i quan “joobligativë”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tre doracakë mbi edukatën seksuale për tri nivelet arsimore (1-5, 6-9 dhe 10-12) kanë ndezur një debat të ashpër në opinionin publik. Shumë kritika, akuza e kundërakuza janë derivat i diskutimit mbi librat që i botoi Ministria e Arsimit, që udhëhiqet nga ministrja Arbërie Nagavci. MASHTI, përmes zëvendësministrit Tualant Kelmendi, reagoi ndaj debatit, duke i quajtur si manipulim dhe të pavërteta.

Kelmendi e dha sqarimin e tij, duke shkruar se “orkestrimi për të krijuar ‘mllef familjar’ është i rremë”. Tutje, ai shkroi se doracakët nuk janë obligativë.

“Teksti i përmendur nuk gjendet askund në Kurrikulën e Arsimit Parauniversitar të miratuar në vitin 2016. Kurrikula nuk ka ndryshuar në 2021 as në 2023, siç po thuhet. Teksti i përmendur nuk gjendet as në tekstet shkollore dhe as nuk është tekst i veçantë shkollor, siç po thuhet. Lënda "Edukimi Seksual" nuk është lëndë obligative në kurrikulë, siç po thuhet. I gjithë diskutimi po bëhet për një manual të zhvilluar nga Fondi për Popullsinë e Kombeve të Bashkuara – UNFPA si nismë e filluar në vitin 2016. Edhe pse ky dokument nuk ka asnjë karakter obligativ, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e gatshme të rishikojë çdo pjesë ku përmbajtja nuk përputhet me standardet e përshtatshme për edukimin e fëmijëve. Në anën tjetër, nuk ka asnjë rast në arsimin parauniversitar ku është praktikuar përshkrimi që po dëgjojmë dhe shohim” – ka shkruar Kelmendi.

Megjithatë, vetë ministrja Arbërie Nagavci e kishte përgëzuar punën për tri doracakët e kritikuar të edukatës seksuale. Gjatë një vizite në gjimnazin “Sami Frashëri”, Nagavci kishte vlerësuar se tema e edukatës seksuale në shkolla është e rëndësishme.

“Mirëmbajtja e shëndetit është pjesa më qenësore e jetës sonë, ku shëndeti i fëmijëve dhe të rinjve tanë ka vend të veçantë. Në Kosovë edukimi gjithëpërfshirës seksual është pjesë përbërëse e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës” – ishte shprehur ministrja Nagavci.

Për më shumë, Nagavci kishte përgëzuar punën e doracakëve, të cilët Kelmendi tha se janë nismë e UNFPA-së.

“Ministrja Nagavci ka përgëzuar grupin punues ndërsektorial dhe UNFPA-n, për hartimin e 3 doracakëve ndihmës për mësimdhënës për nivelin 1-5, nivelin 6-9, si dhe nivelin 10-12, duke shtuar se, Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve në institucionet arsimore.

Shefja e UNFPA-së, Visare Mujko Nimani ka thënë se, MAShTI është ministria e parë në rajon që me sukses e ka trajtuar çështjen e edukimit seksual dhe e ka futur si lëndë mësimore në shkolla, prandaj edhe po merret si model në rajon” – njoftonte MAShTI.

Për më shumë, në këto doracakë kanë punuar edhe shërbyes civil të MAShTI-t, ndërsa në fund ato janë botuar me logon zyrtare të MASHTI-t.

Lajme të ngjashme