Edhe Vjosa Osmani fluturon në maj për Amerikë, s'dihet a do ta takojë Albin Kurtin - NACIONALE

Edhe Vjosa Osmani fluturon në maj për Amerikë, s'dihet a do ta takojë Albin Kurtin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë muajit prill dhe maj pritet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizita zyrtare.

Së paku kështu ka deklaruar shefi i Stafit të Presidencës, Blerim Vela duke sqaruar se Osmani do të zhvillojë takime të niveleve të ndryshme në ShBA.

E para e vendit, sipas deklarimeve të Velës, ka ftesë zyrtare.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dyert e hapura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ta”, ka thënë Vela në Klan Kosova.

E në maj, siç ka paralajmëruar ditë më parë, do të qëndrojë në Amerikë edhe kryeministri Albin Kurti.

Në njërën nga intervistat e fundit, Kurti e konfirmoi majin si muajin kur do të udhëtoj për në ShBA.

“Do të shkoj besoj në muajin maj, do të zhvilloj takime me administratën Biden dhe diasporën tonë, unë i njoftoj ata paraprakisht, ata më mirëpresin, organizohen takimet, verifikohet agjenda, por, që ju do ta dini paraprakisht”, deklaroi Kurti.

Por, një ditë pas këtij deklarimi të shefit të ekzekutivit, në një përgjigje për gazetën Nacionale, një burim që njeh mirë këtë çështje theksoi se nuk ka informacione për këtë udhëtim të paralajmëruar.

“Duhet të ju adresoj te Zyra e Kryeministrit apo Ambasadës së Kosovës në Uashington – që zakonisht përfshihet në koordinimin agjendën për vizitat e nivelit të lartë për në ShBA. Nuk kemi informacione deri tash”, theksonte në përgjigjen e tij ky burim.

Vizitën e tij në Amerikë, Kurti e ka paralajmëruar qysh vitin e kaluar, por ende nuk është caktuar data e saktë.

Fillimisht, ai kishte thënë se vizita do të ndodh në nëntor të vitit të kaluar.

Më pas, pati paralajmëruar janarin e këtij viti si kohë për vizitën e tij, por as kjo nuk ka ndodhur.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti vitin e kaluar.

Albin Kurti është kryeministri i vetëm i Kosovës, i cili në vitin e parë të qeverisjes se tij nuk e ka vizituar Amerikën.

Partitë opozitare jo rrallë e kanë akuzuar kryeministrin Kurti si anti-amerikan. Këto kritika janë shtuar pasi Qeveria e Kosovës refuzoj projektin për ndërtimin e gazsjellësit amerikan.

Gazeta Nacionale nuk e di nëse Kurti do të udhëtoj së bashku me Osmanin për në Amerikë dhe nëse kanë në agjendë takime të përbashkëta me politikanët amerikanë.

Lajme të ngjashme