Edhe më tej asnjë fjalë nga ndërkombëtarët për kidnapimin e tre policëve në veri
Kidnapimi i tre policëve në veri të Kosovës nga ana e Serbisë, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë. Krerët institucionalë, përfshirë kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani e kryekuvendari Glauk Konjufca, dhe opozita parlamentare e joparlamentare, kanë qenë në një fjalë në dënimin e këtij akti të Serbisë. Por, për dallim nga pushteti dhe opozita, ende asnjë fjalë nuk ka ardhur nga ndërkombëtarët.
Më saktësisht, nuk ka ende reagim nga shtetet perëndimore. Pra shtetet e QUINT-it, d.m.th. ShBA-ja, Gjermania, Franca, Anglia e Italia nuk kanë shkruar ende asnjë shkronjë në lidhje me këtë çështje. As Bashkimi Evropian, që e ndërmjetëson dialogun, nuk ka reagur në lidhje me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë.
Edhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka heshtur deri tani, siç pa zë janë edhe shtetet e rajonit, si Shqipëria.
Por kryeministri Kurti, përmes një statusi, u ka kërkuar ndërkombëtarëve të reagojnë në lidhje me këtë temë.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.” – shkroi ndër të tjera Kurti.
Në një linjë me Kurtin, ishte edhe presidentja Osmani, e cila kërkoi reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar.
“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.” – shtoi ai.
Ndërsa, kryekuvendari Konjufca deklaroi se lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ.
“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ.” – ka shkruar ai.
Çka ndodhi sot?
Njësitë speciale të Policisë së Serbisë sot në mesditë janë futur qindra metra në territorin e Kosovës dhe kanë arrestuar tre zyrtarë policor të Kosovës. Pamjet që kanë sjell mediat serbe kanë qenë poshtëruese. Në fotografitë e postuara policët e Kosovës duken të shtrirë, të çarmatosur dhe me sy e duar të lidhura.
Një veprim i tillë po konsiderohet edhe si shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Policia e Kosovës ka treguar vendin ku janë kidnapuar kolegët e tyre.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”, është thënë në komunikatën e policisë.
Rrëmbimi i zyrtarëve policor ka nxitur reagime të shumta në vend. Duket se masa e parë kundër Serbisë pas kidnapimit të tre policëve tanë ka ardhur. Nacionale ka mësuar se Qeveria e vendit ka marrë vendim që të ndalet importi i mallrave nga Republika e Serbisë. Nacionale ka kontaktuar ministren e Idustrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, por deri tash nuk kanë marrë përgjigje.
Në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti që e ka quajtur edhe "agresion" edhe synim për destabilizim.

