Edhe Haxhiu dënon sulmin ndaj gazetarit Syla: I urojmë shërim të shpejtë - NACIONALE

Edhe Haxhiu dënon sulmin ndaj gazetarit Syla: I urojmë shërim të shpejtë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, duke thënë se kjo është e papranueshëm.

Haxhiu në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se sulmi është i patolerueshëm dhe i dënueshëm.

“Dua të shpreh indinjatën tonë për sulmin ndaj sulmit ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla. E dënojmë ashpër një veprim të tillë. Sulmi që ka ndodhë mbrëmë është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe i dënueshëm.” – tha ajo.

Haxhiu i ka uruar shërim të shpejtë gazetarit Syla, derisa tha se organet e sigurisë duhet ta kryejnë detyrën e tyre me seriozitet të lartë.

“Urojmë që policia, prokuroria dhe gjykata ta bëjnë punën e tyre me seriozitetin më të lartë. Jo vetëm ndaj këtij rasti, por ndaj të gjitha rasteve ku ka sulme ndaj gazetarëve. Ata duhet të veprojnë lirshëm. I urojmë shërim të shpejtë gazetarit dhe opinionistit Valon Syla.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, sulmin gjatë mbledhjes së Qeverisë e ka dënuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës.” – ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti i ka uruar Sylës shërim të shpejt teksa ka bërë thirrje ndaj institucioneve që të sjellin autorët para drejtësisë.

“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë.” – ka thënë Kurti.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka dhënë detaje. Sipas raportit 24 orësh të PK-së, Syla është sulmuar nga tre persona të cilët deri më tani nuk janë identifikuara.

Të dyshuarit sipas policisë janë larguar me një veturë me targa vendore. Rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”.

“LËNDIM I LEHTË TRUPORRr. Ilir Durmishi, Prishtinë 11.04.2023 – 22:29. Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore.” – thuhet në raport.

Lajme të ngjashme