Edhe 8 ditë afat për presidentin: Kurti para takimit me Abdixhikun flet për kompromise - NACIONALE

Edhe 8 ditë afat për presidentin: Kurti para takimit me Abdixhikun flet për kompromise

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do ta takojë sërish kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Takimi do të zhvillohet nga ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës.

Temë kryesore është presidenti, pasi kanë mbetur veç edhe 8 ditë afat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar kompromis për presidentin.

Ai ka thënë se shkuarja në zgjedhje nuk është opsion.

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis, dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se fiton 80 deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve, dhe nga ato pozicine të zhvillohen bisdime të sinqerta, me interesin për vendin tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje që i përgjigjet vullnetit qytetar,shteti ynë ka nevojë për stabilitet veçmas në këtë kohë të trazuar. Por përtej kësaj, ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri, sepse qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre më 28 dhjetor, 113 ditësh. Qytetarët votuan për 4 vjet, dhe në përputhje me vullnetin e tyre do ta sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030. Jemi të bindur që zgjedhjet e reja nuk sjellin ndryshime të mëdha, të krijojë shpenzime nga së paku 10 milionë euro për KQZ-në.”, tha Kurti.

U.D. Presidentja e Kosovës dhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka dhënë një ide “interesante”, për akterët politikë në Kosovë. Ajo ka thënë se është mirë që të unifikohen të gjithë për çështjen e presidentit (në garë janë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku), ndërsa betejat të vazhdohen pas këtij procesi.

“Mendoj që qytetarët nuk i duan zgjedhjet në Republikën e Kosovës në këtë moment. Në dhjetor të vitit të kaluar ata kanë votuar për partitë politike, pra në këto zgjedhje, prandaj mendoj që askush nuk do të duhej të synonte që me veprimet e tyre ta çojnë vendin në zgjedhje. I ftoj që të përbashkohen, të unifikohen, e pastaj betejat për çështje të tjera i lëmë pas zgjedhjes së presidentit”, tha Haxhiu.

Ajo, këtë të dielë tha se e sheh javën që po vjen si vendimtare, duke përmendur edhe “marrëveshje brenda orëve, nëse ka vullnet”

“Këtë javë, kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Unë mirëpres çfarëdo kontributi të partive politike, grupeve parlamentare në raport me çështjen e zgjedhjes së presidentit, për faktin se nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, por në qoftë se ka vullnet mund të kryhet brenda shumë pak orësh. Prandaj i ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën që kemi para nesh ta shfrytëzojmë me takime, të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit.”

Sa i përket takimeve me partitë e tjera dhe liderët, ajo tha se nuk është vet përgjegjëse, por për këtë është Kurti.

Unë nuk jam përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takim. Takimet po ftohen nga kryeministri Albin Kurti, si kryetar i partisë, si kryeministër dhe si dikush që i ka mbi 50 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht 66 me koalicionin që është bashkërisht.

Ajo u shpreh e bindur se qytetarët nuk duan zgjedhje të reja, duke përmendur edhe zhvillimet jashtë shtetit.

Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm, duhet ta kemi parasysh interesin qytetar dhe jo, si me thënë, ndonjë interes individual apo grupor.” – tha ajo.

Zv/kryeministri i parë, njëkohësisht edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tregoi që negociatat për zgjedhjen e Presidentit po vijojnë dhe zgjidhja, sipas tij, do të varet nga vullneti i opozitës.

“Bisedat po vazhdojnë mes kryeministrit dhe partive politike. Ka takuar kreun e LDK-së, një ftesë ia ka dërguar edhe PDK-së. Ata kanë kërkuar disa sqarime shtesë, të cilat me siguri që kryeministri do u përgjigjet shpejt. Ka përpjekje për të shkuar në një marrëveshje”, tha Konjufca.

Sipas tij, gjithçka “varet nga vullneti i opozitës”.

“Vetëvendosja nuk insiston patjetër që të ketë emrin e saj në zgjedhjen e Presidentit. Nëse nuk ka pasur vullnet, është vërtetuar në seancë ku nuk kanë ardhur. Kjo tregon se ata kërkojnë diçka tjetër, por mirë është të na e thonë se çfarë kërkojnë”, shtoi Konjufca. /A2

Lajme të ngjashme