E thonë gati të gjithë: Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese, kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE - NACIONALE

E thonë gati të gjithë: Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese, kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë shpeshtuar zërat për ndërlidhjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse Qeveria e Kosovës ende nuk e ka pranuar një gjë të tillë, burimet diplomatike dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se ky veprim do të jetë kush për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Ata kanë bërë me dije se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës duan të shohin hapa të prekshëm të Kosovës në drejtim të zbatimit të këtij obligimi ndërkombëtar, raporton Nacionale.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Nuk habitem që edhe raporti për KiE-në të kuptojë që pala kosovare duhet të bëjë edhe hapa të prekshëm për formimin e Asociacionit. Ai është draftstatuti që duhet të shkojë në Kushtetuese për kontroll”, ka thënë Hasani në emisionin “Interakiv” të KTV-së.

Ndërsa, analisti Ilir Deda ka treguar se një gjë të tillë e parasheh edhe raporti i Dora Bakojanis, i cili javën e kaluar është miratuar nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

“Edhe në raportin e Dora Bakojanisë, i cili është aprovuar, thuhet se ministrat në muajin maj duhet ta kenë lartë në agjendë themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, i cili duhet të themelohet pas anëtarësimit të Kosovës. Ne që po thojmë kushte të reja, unë nuk e shoh këtë si kusht të ri. Këto janë hapa të cilat tregojnë se Kosova e ka më të vërtet qat nënshkrimin e vetë të zotimeve që e ka marr për Këshill të Evropës”, ka thënë Deda në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Në këtë mënyrë, është shprehur Dedaj, anëtaret e KiE-së do t`i kërkojnë Kosovës që të demonstrojë kredibilitetin e zotimeve që i ka dhënë në letrën e tre liderëve institucionalë.

“Kjo do të tregon se çfarëdo statuti që na del prej Kushtetueses nuk do të miratohet deri në dhjetor të vitit 2025, deri pas zgjedhjeve komunave. Për këtë arsyeje edhe Dora Bakojanisi ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet pas anëtarësimit, por ky hapi i ndërmjet ku Kosova nuk luanë me ‘e kom aprovu e nuk e kom aprovu’, por shkon përpara me obligime që i ka marrë, është hapi i fundit që të mbyllet kjo temë dhe t`i lejohet Gjykata Kushtetuese ta harmonizojë me Kushtetutën statutin e Asociacionit”, ka thënë Deda.

Edhe shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi, i cili është pjesë e delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka thënë se më herët Asociacioni ka qenë kusht.

Në emisionin “Pressing”, ai ka treguar se më herët përkohësisht është hequr ky kusht.

“Ma herët kanë qenë tri kushte, pastaj u arrit të jetë vetëm një kusht që u plotësu. Kushti i parë ka qenë regjistrimi i pronës së Manastirit, kushti i dytë ka qenë dërgimi i Draftit në Kushtetuese dhe kushti i tretë ka qenë ndalimi i shpronëzimeve në veri. Dy kushtet e dyta, janë hequr përkohësisht dhe kanë mbetur vetëm kushti i pronës së kishës dhe është premtuar që në Komitetin për Politikë dhe Demokraci dhe në Asamblenë Parlamentare, më 16 është vendosur, do të jetë në votim anëtarësimi i Kosovës”, ka thënë Gashi.

Megjithatë, Gashi ka pranuar se tani ka indicie që Asociacioni të dërgohet në Kushtetuese para anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Ka indicie që ka pasë, u raportua që ka pasë të dërgohet para dërgimit në Komitetin e Ministrave, të plotësohet edhe një kriter që do të ishte dërgimi i Draftit në Kushtetuese. Kjo nuk është komunikuar zyrtarisht, por ka indicie që kjo do të ndodhë”, është shprehur Gashi.

Gjermania e kërkon

Duke i thirrur në burime diplomatike, gazeta Nacionale dje ka raportuar se Gjermania është duke ia kërkuar Qeverisë së Kosovës dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese.

Burimi në fjalë i ka thënë Nacionales se këtu nuk bëhet fjalë për zbatim komplet të këtij obligimi.

“Jo zbatim i plotë i Asociacionit, por progres në proces...dërgimi i propozimit të BE-së për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë burimi i gazetës.

I njëjti burim ka thënë se kjo është një kërkesë e kahershme e Gjermanisë.

“Progresi në lidhje me ASM-në ka qenë kërkesë qëmoti për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe është komunikuar vazhdimisht (nga gjermanët)”, ka vlerësuar burimi.

Në raportin e Dora Bakoyanis, i cili është miratuar javën e kaluar në Komitetin e Asamblesë, tregohet se Kosova duhet të bëj progres në këtë aspekti.

Në pikën 39 ku Bakojanis iu drejtohet në raport Këshillit të Ministrave, përkatësisht vendimmarrësve finalë thuhet: “duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsiderimim e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Një ditë më parë, vendet e QUINT-ti kanë takuar tre krerët e shtetit kosovar.

Në një komunikatë për media të Presidencës është thënë vetëm se temë e takimit ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, por nuk është treguar nëse institucioneve u është kërkuar dërgimi i Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

Lajme të ngjashme