“E thirra unë në telefon, jo ai mua, e pyeta ‘qysh je t’u e mendu”: Opozita s’e priti hiç mirë (a)venturën e Krasniqit - NACIONALE

“E thirra unë në telefon, jo ai mua, e pyeta ‘qysh je t’u e mendu”: Opozita s’e priti hiç mirë (a)venturën e Krasniqit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pa virtuozitetin gjuhësor të dikurshëm prej opozitari përzbutja e Memli Krasniqit – Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – ka dhënë mjaftueshëm brum për debat të ashpër dhe spekulim rreth një peizazhi krejt ndryshe që në dukje po shpaloset në skenën politike.

Mbetet e hëna të dëshmojë a ia ka vlejtur barra qeranë për Krasniqin që i vetëm u nis në një (a)venturë për të gjetur ‘pakt’ me Lëvizjen Vetëvendosje për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit – për çka si mjet këmbimi drejt kësaj ‘të mire’ i dha votat e PDK-së për marrëveshjet ndërkombëtare të mbetura peng.

Në dy intervistat e fundit të Krasniqit (Debat Plus, Rubikon) ka qenë vështirë të dëgjohet diçka goditëse për të prodhuar së paku edhe një titull nga një lider politik që udhëheq partinë më të madhe opozitare, ku tonet e tij kundrejt Albin Kurtit kanë qenë vërejtshëm të pangarkuara me ashpërsinë e – të themi – para një muaje.

Edhe për vetë kolegët-opozitarë të Krasniqit takimi në ‘Garden’ u interpretua pa-një-pa-dy si “shkrirje” – me AAK-në që ka suspenduar gjykimin se në çka përkthehet përfundimisht kjo “shkrirje” ndërsa me LDK-në që e ka vlerësuar prerazi për “partneritet”.

Krasniqi në anën tjetër – deklarativisht – mohon të ketë pasur ndofarë pajtimi të brenda-e-jashtë-kuptueshëm me Kurtin për partneritet ndonëse ‘vijat e kuqe’ i përjashton; duke folur thjesht për 'hendek'.

Haradinaj në një intervistë në “Blic” tregoi që “u befasua” me mësymjen krye më vete të Krasniqit në krejt këtë nismë të tij bashkë me Kurtin.

E thirra në telefon, unë atë, jo ai mua, e pyeta ‘çka është tu ndodh, ‘si po mendon me ndodh ky proces', ‘të lutem të bëjmë kujdes’, ‘si do që të vendosim të vendosin krejt bashkë’ – kujdesin duhet me pas te opozita, mos m’e prish opozitën; sot PDK është e sigurt që vjen në pushtet, si LDK, si AAK e NISMA nëse nuk punojmë ndaras”, tha Ramush Haradinaj duke e elaboruar situatën siç e pa.

Kreu i AAK-së – në dritën e këtyre zhvillimeve – e dha që opozita si e tillë, “nuk duhet m’e lëndu formulën e një qeverisje ‘pa Kurtin’”; teksa shtroi pyetjen nëse në të vërtetë PDK ka ndofarë analiza për këto veprime; ndërsa për LDK-në tha se me Kryetarin Lumir Abdixhiku patën qëndrime thuajse të njëjta rreth ftesës së Kurtit.

Nuk është prit mirë kjo nga AAK; e besoj që nuk është prit mirë as nga LDK” .

Në anën tjetër, Krasniqi pyetur rreth krejt diskursit çdo ditë e më të madh për ‘afritë përzgjedhëse’ mes tij dhe Kurtit, i ka quajtur “konspiracione dhe tituj senzacional” por në të njëjtën kohë duke mbajtur tone të buta.

Tonet, megjithatë – në kuptimin e një ‘testi litmusi’ – e tradhtojnë kur fjala bile për Ministren e Jashtme Donika Gërvalla ku s’pret një sekond të shprehet si ‘zoti na rujt’; ndërsa në deklaratën e lëshuar nga intervistuesi i tij në Rubikon kur Kurti shprehej se “zhduket opozita po qe se shkojmë në zgjedhje” Memli Krasniqi s’e trajton fare.

Për kritikat e ashpra të Lidhjes Demokratike të Kosovës të drejtuara masivisht ndaj tij dhe subjektit të PDK-së, Krasniqi pati thënë në ‘Debat Plus’ se “as këta (LDK-ja) s’kanë vija të kuqe”.

Krasniqi: Nuk e di pse janë prek kaq shumë (LDK-ja). Të ftum kanë qenë, kanë mujt me ardh.

Intervistuesi: Duke e ditë që s’keni ju vija të kuqe nashta...

Krasniqi: S’kanë as këta vija të kuqe, me sa e di unë...

Intervistuesi: Kanë thanë që kanë...

Krasniqi: Qashtu kanë pas thanë edhe më herët, veç ishalla i majnë...

Argumenti i opozitës - LDK-së dhe AAK-së është përkthyer në argumentin që s'duhet të merren veprimet drejt zgjedhjeve ashtu siç e do Kurti e që në ndonjë mënyrë këtë të fundit "e ndihmojnë me rimarrë edhe një mandat".

Lajme të ngjashme